Reagon Xhevdet Tahiraj për Fake News-in për Thaçin e Veselin, pasi faqja “Në Kohë” abuzoi me fotografinë dhe emrin e tij

Pjesëtari i FSK-së, Xhevdet Tahiraj, ka reaguar pas shpërndarjes së një lajmi të rremë nga faqja “Në Kohë” në Facebook, ku abuzohet me fotografinë e tij dhe thuhet kinse Tahiraj ka thënë: “Tahiraj: Mos u ktheftë kurrë nga Haga Hashim Thaçi dhe as Kadri Veseli”.

Në demantimin e tij, Tahiraj ka thënë se ish-udhëheqësit e UÇK-së po luftohen poshtërsisht edhe me Fake News.

Ai ka thënë se Hashim Thaçi e Kadri Veseli u kthefshin sa më shpejt nga Haga, sepse lidershipi i tyre po i mungon Kosovës.

Tahiraj u ka bërë thirrje institucioneve të sigurisë që të ndërmarrin veprime ligjore kundër prodhuesve të lajmeve të rreme, të cilët me propagandë po abuzojnë edhe me identitetin dhe reputacionin tonë.

“DEMANTIM NDAJ SHPIFJEVE TENDECIOZE TË PORTALIT FAKE “NË KOHË”

Të nderuar shokë, miq, familjarë dhe bashkëluftëtar,

Ish-udhëheqësit e UÇK-së po luftohen poshtërsisht edhe me Fake News. Mjeshtrit e lajmeve të rreme, të cilët e kanë kontaminuar me vite të tëra opinionin publik, tash paskan abuzuar edhe me një fotografi timen me presidentin Thaçi për t’i manipuluar qytetarët. U kthefshin sa më shpejt Hashim Thaçi e Kadri Veseli nga Haga, sepse lidershipi i tyre po i mungon Kosovës.

Institucionet e sigurisë duhet të ndërmarrin veprime ligjore kundër prodhuesve të lajmeve të rreme, të cilët me propagandë po abuzojnë edhe me identitetin dhe reputacionin tonë.

Ky demant ishte i domosdoshëm nga ana ime për ta ruajtur dinjitetin tim dhe të familjes sime, por edhe për të rikonfirmuar publikisht respektin tim të thellë për Hashim Thaçin e Kadri Veselin, të cilët janë heronj të luftës dhe paqes. Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli janë meritorët më të mëdhenj të të arriturave të deritashme të Kosovës. Historia e tyre është historia e popullit dhe shtetit tonë”, ka shkruar Xhevdet Tahiraj.