Reagon VV-ja: S’kemi (ende) marrëveshje me LDK-në!

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Besnik Bislimi, në një postim në Facebook ka mohuar raportimet se VV-ja e LDK-ja janë pajtuar për ndarjen e ministrive.

Ai ka thënë se e “vërteta është se ka lëvizje dhe hapa përafrues, por assesi të përafërt me ato që po qarkullojnë”.

“Sonte, shumë më shumë se netëve më parë, analistë nëpër studio televizive, portale e pseudoportale kanë vërshuar qytetarët me informata të pasakta e me hamendësime, gjithnjë duke u ‘thirrë’ në ‘burime të brendshme’. Dëshiroj të qetësoj të gjithë Ju dhe demantoj të gjithë ‘këta’: Gjithë këto spekulime e hamendësime dhe këto gjoja ‘burime’ janë shumë larg së vërtetës dhe qëllimmirës. Ashtu edhe si e kemi cekur në informatën nga Lëvizja Vetëvendosje!: Bisedimet kanë rifilluar intenzivisht, takimet po i mbajmë në baza ditore si dhe ka lëvizje dhe hapa përafrues (por assesi të përafërt me ato që po qarkullojnë gjithandej)”, ka thënë ai.

Sot dy partitë, pas takimit që kishin, kanë thënë se ka pasur hapa përafrues në negociatat për formimin e qeverisë, ndërsa kanë shtuar se takimi i radhës do të mbahet nesër, të enjten.