Gjatë ditës së djeshme, zyrtarët e Ministrisë së Brendshme të Serbisë, sektori për situatë të jashtëzakonshme kanë mbyllur selinë e Partisë Demokratike Shqiptare, në Komunën e Preshevës.
Ish-kryetari i Preshevës, njëherit lider i PDSH-së, Ragmi Mustafa, për Ballkani.info ka thënë se një mbyllje të selisë së partisë së parë politike shqiptare që prej pluralizmit politik nga viti 1990 pa asnjë paralajmrim, e bëjnë vetëm albanofobët serb në bashkëpunim me vazalët e tyre, pikërisht pushteti lokal i Preshevës shqiptaro serb.
“Dy ditë para festës së flamurit, zyrtarët e Ministrisë së Brendshme të Serbisë, sektorit për situata të jashtëzakonshme kanë mbyllur selinë e partisë në qytetin e Preshevës. Një mbyllje të selisë së partisë së parë politike shqiptare që prej pluralizmit politik nga viti 1990 pa asnjë paralajmrim, e bëjnë vetëm albanofobët serbë në bashkëpunim me vazalët e tyre, pikërisht pushteti lokal i Preshevës shqiptaro serb”, ka thënë Mustafa.
Mustafa, tutje ka vazhduar t’i quaj serbët të çoroditur dhe albanofobë.
“Se serbët janë çoroditur këtë po e kuptojmë, por se çfarë fobie ka kapluar pushtetmbajtësit e përzier shqiptar e serb edhe pse në shumicë shqiptarësh këtë nuk po e kuptojmë”, ka thënë ai.
Mbylljen e selisë së PDSH-së, Mustafa, e sheh si provokim radhës të Serbisë karshi vendimeve të mëdha që po merr Kosova.
“Provokime edhe të tjera mund t’u ndodhin shqiptarëve ditëve në vijim, në saje të hakmarrjes së Serbisë me rastin e vendimeve të mëdha të Qeverisë së Kosovës. Si do që të sillen serbët ndaj nesh, ne nuk heqim dorë nga njohja e Republikës së Kosovës, e aq më parë nga e drejta jonë për bashkëngjitje me Kosovë në bazë të Referendumit të 1 e 2 marsit 1992”, ka përfunduar Mustafa. /Ballkani.info/







