Reagon MPJ, Serbia po e shkel marrëveshjen e Brukselit

Lobimi i Serbisë për tërheqjen e njohjeve të atyre shteteve që e kanë njohur Kosovën, vazhdon të jetë aktiv edhe më tej. Lidhur me këtë ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme. Besnik Hoti, zëvendësministër, ka thënë se janë të papranueshme veprimet e diplomacisë serbe ndaj Kosovës dhe për këtë i kanë bërë thirrje BE-së që t`ia tërheq vërejtjen Serbisë.

Serbia po vazhdon edhe më tej betejën e saj diplomatike në arenën ndërkombëtare, për të minimizuar shtetësinë e Kosovës. Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, edhe gjatë javës që lamë pas, ka vazhduar me propagandës e tij për tërheqjen e njohjeve ndaj Kosovës.

Ndërkohë, zëvendësministri i Punëve të Jashtme Besnik Hoti, thotë për Radio Kosovën se me këto veprime, Serbia po e shkel marrëveshjen e Brukselit, të arritur në vitin 2013.

“Në vitin 2013, në Bruksel, Beogradi e ka nënshkruar marrëveshjen, e cila e bënë të qartë se Serbia nuk mund të bllokojë e as pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Ndërkaq, në praktike vepron me të gjitha mjetet kundër asaj marrëveshje që vet e ka nënshkruar”, ka thënë Hoti.

Vjosa Osmani, kryetare e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, ka theksuar në mbledhjen e këtij komisioni se ka kërkuar nga ministri i Punëve të Jashtme Behxhet Pacolli, të raportoj për deklaratat e Serbisë rreth tërheqjes së njohjeve nga shtete të ndryshme.

“Deri më tani ministri i Punëve të Jashtme, Behxhet Pacolli, vazhdimisht ka thënë se është jashtë vendit. Por, ne e kemi parë që kohë pas kohe ka qenë edhe në Kosovë, mirëpo nuk ka ardhur për të raportuar në Komision. Unë do të insistoi që ai të vijë e të raportojë, sidomos në këtë fazë kur Serbia po e rrit destruktivitetin e vet. Edhe përkundër procesit të dialogut ata po vazhdojnë me ofensiva të tmerrshme”, ka thënë Osmani.

E, rreth lobimit të Serbisë tek disa shtete për tërheqjen e njohjen ndaj Kosovës, zëvendësministri i Punëve të Jashtme Besnik Hoti, thotë se kanë kërkuar nga BE-ja që t`i tërhiqet vërejtja Serbisë. Sipas tij, një gjë e tillë ndikon negativisht edhe në normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve.

“Ministria e Punëve të Jashtme u ka bërë thirrje përfaqësuesve të BE-së dhe SHBA-së që të reagojë menjëherë dhe t`ia tërheqin vërejtjen shtetit fqinj kundrejt sjelljeve dhe veprimeve të tilla. Veprimet e Serbisë janë në kundërshtim të plotë me zotimin e shprehur për bashkëpunim rajonal dhe vullnetin e shprehur deklarativ për normalizim e marrëdhënieve në mes të dyja shteteve”, ka thënë Hoti.

Ndërkohë, Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, sqaron për Radio Kosovën se një praktikë e tillë nuk njihet në të drejtën ndërkombëtare.

“Nuk ka tërheqje të njohjes dhe nuk ka rinjohje të shtetit. Njohja është akt i njëanshëm juridik ndërkombëtar i parevokueshëm që nënkupton se nëse njëherë njihet ose hiqet ajo nuk mund të kthehet mbrapa”. Sipas Hotit, kjo si praktikë nuk njihet në të drejtën ndërkombëtare prandaj nuk ka të bëjë asgjë me realitetin përveçse janë spekulime politike.