Reagon miku i Albinit pas emërimit në Bord: Është e vërtetë, unë jam anëtar i Vetëvendosjes

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Dërmaku, i emëruar drejtor bordi i përkohshëm në “Infrakos”, ka thënë se emërimi i tij në Ndërmarrjen Publike është në pajtueshmëri me Ligjin.

Artan Dërmaku u zgjodh anëtar i bordit të Ndërmarrjes Publike “Infrakos” me vendim të Qeverisë së Kosovës të enjten. Ai është Dekan i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në Universitetin “Haxhi Zeka”, i anëtarësuar në Lëvizjen Vetëvendosje dy vjet më parë, shkruan Insajderi.

Megjithatë, sipas Dërmakut, në emërimin e tij nuk ka luajtur rol partia aq sa thotë të ketë qenë primare përgatitja e tij profesionale.

“Është e vërtetë që, gjërat që nuk munden të mohohen, nuk munden. Unë jam anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. Por, para se me qenë anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, unë i kam përfunduar të gjitha studimet jashtë shtetit. Kam punuar atje, jam kthyer dhe punoj në Universitet”, ka thënë ai.

Dërmaku ka deklaruar se, sipas Ligjit për Ndërmarrjet Publike, emërimi i tij është brenda kuadrove ligjor. Ka thënë se në pozitën e drejtorit të bordit nuk është “rehatuar” nga partia.

“Unë jam në Vetëvendosje në cilësinë e ekspertit. Nuk jam në asnjë organ vendimmarrës. Dhe kjo për mua është e çuditshme, sepse unë nuk jam i rehatuar prej Lëvizjes Vetëvendosje sepse unë e kam punën dhe titujt”, ka nënvizuar Dërmaku.

“Profesionet që unë i ushtroj në Universitet më bëjnë mua një njeri institucionalist dhe unë nuk dua ta shkelë Ligjin. Unë, me aq sa kam lexuar dhe kuptuar – kam pyetur edhe jurist që të më ndihmojnë për këtë punë. Ata [juristët] më kanë thënë se në pjesën politike ku thuhet ‘të jetë apolitik’, çka nënkupton që ti të mos jesh në asnjë strukturë vendimmarrëse brenda partisë”.

Ndonëse praktika e emërimit të anëtarëve të subjekteve politike në ndërmarrje publike është kritikuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Dërmaku thotë se kritika nuk duhet të vlejë në rastin e tij.

“Unë e kuptoj që në të kaluarën kanë ndodhur shumë implikime politike dhe njerëzit e pakualifikuar janë vendosur nëpër borde, por unë mendoj se rasti duhet të ndryshojë”, ka deklaruar Dërmaku për Insajderin.

Inxhinieri ka pranuar se për t’i “realizuar synimet e tij të ekspertizës” i është dashur të anëtarësohet në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Besoj se unë si ekspert nëse dua t’i realizoj synimet e ekspertizës, po duhet patjetër të jem pjesë e një organizate politike, sepse neve po na akuzojnë pse nuk jemi kyçur, kur të kyçemi na akuzojnë për tjetrën. Është e çuditshme kjo punë”, është shprehur Dërmaku.

Dërmaku ka deklaruar të jetë i përshtatshëm për rolin që Qeveria e Kosovës i ka besuar atij.

“Unë mendoj se është keqpërdorur kjo. Duhet të shikohet profili i personave: A je i përshtatshëm për atë pozitë? Nëse nuk je i përshtatshëm, ajo është diçka tjetër. Unë, p.sh. kam kryer shkencat teknike, të teknologjisë, të mekatronikës, e cila është direkt e lidhur me hekurudhat”, ka thënë ai.

Kështu e kishte prezantuar Kurti mikun e tij në verën e vitit 2018, kur Dërmaku kishte aderuar në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Jemi të së njëjtës gjeneratë dhe kemi studiuar bashkë në Fakultetin e Elektroteknikës”, kishte shkruar Kurti më 2018.

Me emërimin e Dërmakut në bordin e KRU “Ujësjellësi” të enjten, Kurti ka thyer premtimin e tij dhe të Lëvizjes Vetëvendosje për “çkapje dhe depolitizim të bordeve” të Ndërmarrjeve Publike.