Ministri i ri Infrastrukturës, Liburn Aliu ka reaguar pas lajmit se ndaj tij ka aktakuzë për keqpërdorimit të detyrës zyrtare sa ishte Drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

Ai ka thënë se për këtë rast sot për herë të parë ka dëgjuar nga mediat dhe se askush deri më tash nuk e ka kontaktuar nga Prokuroria, shkruan Ballkani.info.

“Pas lajmit që pashë sot në disa media në lidhje me gjoja akuzimin tim për keqpërdorim të detyrës zyrtare, gjatë kohës sa kam qenë Drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, ndjehem i obliguar të ndaj këtë reagim. Unë për këtë rast kam dëgjuar për herë të parë nga mediat sot. Marrë parasysh këtë, e kam të pamundur të komentoj mbi substancën e rastit, por mund të them disa fjalë mbi procesin e munguar”, ka shkruar ai.

Sipas tij, me të lexuar lajmin, ka ndërmarrë hapat e duhur për të konfirmuar këtë çështje.

“Unë nuk kam qenë dhe akoma zyrtarisht nuk jam në dijeni për asnjë aktakuzë që ekziston ndaj meje. Asnjëherë nuk jam kontaktuar as nga Prokuroria, as nga Gjykata për t’u informuar në mënyrë zyrtare se ekziston ndonjë aktakuzë e ngritur kundër meje. Ngritja e aktakuzës (nëse diçka e tillë është e vërtetë) pa njoftimin tim si palë, është shkelje e procedurës. Dhe për këtë unë do të kërkoj përgjegjësi”, ka shkruar Aliu. /Ballkani.info/