Albin Kurti

Reagon Kurti, i quan shpifje deklaratat e Thaçit për “Syrin e Popullit”

Lideri i Lëvizje Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar pas deklratave të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, se prapa organizatës kriminale “Syri i Popullit”, qëndron Albin Kurti, Sabri Ramabaja dhe Glauk Konjufca.

Kurti thotë se “nuk merret me shpifjet e presidentit po ikën më shpejt se ç’është menduar”.

“Viti 2019 do të jetë viti i ndryshimeve për Kosovën. Sepse nuk shkëmbehet Kosova me Serbinë. Sepse nuk zëvendësohet Gjermania me Rusinë”, ka shkruar Kurti.

Postimi i plotë i Kurtit:

“Më 31 mars 2018, mua dhe Glaukun na akuzonte për lidhje me Rusinë dhe Iranin. Më 9 korrik, vetë presidenti Thaçi shkoi e takoi Medvedevin, kurse më 12 nëntor 2018 u takua me Putinin. Tash shpif për lidhje tjera të paqena.

Qëndrimet dhe veprimet tona janë publike, të drejta dhe të qarta. Me shpifjet e këtij presidenti që po ikën më shpejt se ç’është menduar nuk merrem. Viti 2019 do të jetë viti i ndryshimeve për Kosovën. Sepse nuk shkëmbehet Kosova me Serbinë. Sepse nuk zëvendësohet Gjermania me Rusinë.

I ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës dhe aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ta ruajnë qetësinë. Presidenti Thaçi është në panik. Shqetësimi i tij iracional nuk ka të bëjë me shtetin tonë të pavarur por me pazarin e tij me Serbinë. Ai po dështon. Ai po shkon”, ka shkruar Kurti.