Reagon kërcënuesi i Bekim Haxhiut, ja çfarë i thotë deputetit të PDK-së

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i njohur si ‘Kamishi’, thotë se pas seancës së djeshme, në të cilën ndodhi një përplasje e ashpër mes deputetëve të PDK-së dhe atyre të Vetëvendosjes, ka pranuar një mesazh kërcënues në rrjetin social “Facebook” e që, sipas tij, ky kërcënim është nga një përkrahës i ministres Gërvalla.

“Po dje kam pranuar në fb një mesazh kërcënues nga një përkrahës i ministres Donika Gervalla Shvarc. Pas seancës rreth orës 16 kam pranuar një mesazh kërcënues, dhe e kam paraqitur ne polici. Ky nuk është rasti i vetëm, edhe ne te kaluarën kam pranuar mesazhe kërcënimi nga përkrahës te lëvizjes VV, por tani shqetësuese është se këto kërcënime me “ngulje thikash” vijnë nga përkrahës te partisë ne pushtet. I ftoj organet qe te veprojnë sipas ligjit”, tha Haxhiu.

E personi për të cilin Haxhiu thotë se e ka kërcënuar, është Adem Baftiri. Ky i fundit sot e ka bërë një sqarim, ndërsa i ka kërkuar falje deputetit të PDK-së, shkruan Ballkani.info.

“Në ditët e sotme në të cilën demokracia lejon lirinë e shprehjes dhe rrjetet sociale mundësojnë hapsira të të shprehurit, sigurisht se ndonjëherë këto momente na zënë  edhe atëherë kur jemi nevrik ose në eufori të qastit. Poashtu në raste kur kthejmë kohën nga e kaluara, ne jemi të lidhur fort me figurat kombëtare siç janë Adem Jashari, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Ukshin Hoti etj. Prandaj ndonjëherë sulment në drejtim të familjarëve të tyre, na humbin arsyen, gjë që mund të reagojmë pa menduar mirë”, ka shkruar Baftiri.

“Unë kam drejtuar një koment ndaj Deputetit Bekim Haxhiu-Kamishi, pas së cilit nuk fshihet asnjë kërcënim por vetëm eufori qasti, prandaj do të doja të përcillja një kërkim falje ndaj deputetit dhe familjes së tij. Pëndryshe respektoj lart të kaluarën e tij në UÇK, por edhe angazhimin e tij në ditët e fundit për sigurimin e vaksinave ndaj Covid-19. Sinqerisht, Adem Baftiri”, shkruan në fund ai. /Ballkani.info/