Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherit kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme,Time Kadrijaj, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit, përkatësisht aksionit të Policisë së EULEX-it për bastistjen e shtëpisë së Jakup Krasniqit.

Përmes një postimi në Facebook, Kadrijaj ka thënë se pamjet e sotme të bastisjes nga forcat e Eulex-it, në shtëpinë e ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, janë të panevojshme.

“Pamjet e sotme të bastisjes nga forcat e Eulex-it, në shtëpinë e ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, janë po aq sa të panevojshme por edhe të neveritshme. Skena të tilla, janë pakuptimta, kur dihet se ushtaret e UÇK-së iu kanë përgjigjur drejtësisë vullnetarisht, sa herë që ka pasur nevojë”, ka shkruar ajo.

Ajo ka thënë se lufta çlirimtare e UÇK-së ka qenë e pastër.
“Lufta çlirimtare e UÇK-së ka qenë e pastër dhe besojmë fuqishëm në pafajësinë e luftëtarëve të lirisë. Jemi me Jakup Krasniqin dhe me gjithë ushtarët e UÇK-së!”, shtoi ajo.