Reagon Federata Skitare për rënien e ortekut në Brezovicë dhe vdekjes së Arian Dacit

Federata Skitare e Kosovës ka reaguar pas rënies së një orteku në Brezovicë, ku një person ka humbur jetën.

“Kemi marrë informacion nga Qendra e Skijimit në Brezovicë se ka rënë një ortek në vendin e quajtur “Folea e Shqiponjës” dhe dy të rinjë fatkeqësisht kanë qenë duke skijuar në këtë vend. Fatmirësisht dy të rinjtë janë gjetur njëri i gjallë, kurse për tjetrin ende nuk dihet gjendja e tij shëndetësore”, thuhet në reagimin e federatës.

Federata apelon te të gjithë qytetarët që të kenë kujdes të shtuar nga reshjet e fundit të borës.

Ndërkohë, disa minuta më parë Drejtori i Agjencisë për Mbrojtje të Mjedisit në Kosovë, Ilir Morina, ka deklaruar se një ortek bore ka ndodhur në Brezovicë, ku si pasojë një person ka vdekur. Viktima e këtij orteku është djali i kryetarit të Akademisë së Shkencave të Kosovës, Nexhat Dacit, Arian Daci, zëvendësministër i Diasporës.