Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Florian Dushi ka reaguar pas raportimeve se ai sot në mbledhjen e Kryesisë së partisë ishte kundër koalicionit me Vetëvendosjes.

Sqarim i Dushit:

Qëndrimi im rreth koalicionit eventual LDK me VV është publik. Koalicioni me VV duhet të ndodhë, mendoj unë, por asnjëherë nën kushtet e diktuara njëanshëm nga partia e Albin Kurtit.

Dje, sot, dhe nesër, në organet e partisë, por edhe publikisht, angazhohem që Kosovës dhe qytetarëve tonë t’iu ofrojmë një qeveri dhe qeverisje ndryshe, duke pasur kujdes të veçantë që partneriteti në mes të këtyre dy partive të jetë i sinqertë dhe i mirëfilltë, e përfaqësimi LDK-së në institucione i dinjitetshëm.

Prandaj, askush, asnjëherë, as ata jashtë, e as “burimet brenda LDK-së”, le të mos presin që unë, Florian Dushi, brenda partisë sime, organeve të saj, do të luaj rolin e mercenarit të ndonjë partie tjetër.

Reagim të ngjashëm ka pasur edhe deputeti i LDK-së, Abran Abrashi.

“Sqarim: Edhe sot isha pro koalicionit me partinë me 29 deputetë. Kërkova të afatizohet dhe të mos shtyhet më shumë arritja e marreveshjes. LDK-së sikur në fillim edhe tash duhet t’i takojnë Presidenti, Kryeparlamentari dhe pesë ministri”, ka thënë ai, raporton Ballkani.info.

Sipas tij, është koha për ndërtimin e Qeverisë.

“Partneriteti ndërtohet me mirëbesim e mirëkuptim, e jo përmes video prezentimeve, e nënçmimit të partnerit të vetëm serioz. Mos ia humbni shpresën vendit! P.S. kërkoj falje për lexuesit, dhe dezinformatat e plasuara nga fansat e partise me 29 deputet, por herave tjera flas me emra”, ka shkruar në fund Abrashi. /Ballkani.info/