Zona ekonomike

Reagon Behgjet Pacolli: Mediat serbe qëllimshëm devijuan deklaratën time

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka reaguar ndaj mediave serbe duke thënë se ato qëllimisht po e devijojnë deklaratën për themelimin e zonës ekonomike në pjesën veriore.

Ai ka thënë se kjo ide nënkupton themelimin e zonës së lirë ekonomike që përfshin proporcionalisht territor midis Kosovës dhe Serbisë,.

“Natyrisht në këtë mënyre vendoset kontroll në pjesën ku sot lulëzojnë bandat dhe krimi. Ekonomikisht vetëm kështu mund të ketë stabilitet dhe zhvillim ekonomik”.

Të kujtojmë se agjencia serbe e lajmeve, Beta, raportoi sot se Pacolli për DW ka thënë se veriu i Kosovës është zonë e madhe ekonomike dhe një pjesë duhet t’i takojë Serbisë, e një pjesë Kosovës.

“Çfarë do të ishte kjo? Këtë po e them qysh më 2007, se veriu i Kosovës duhet të jetë zonë e madhe ekonomike, nga e cila një pjesë do t’i takonte Serbisë, kurse pjesa tjetër Kosovës, ndërsa atë zonë ekonomike do ta drejtonte një i tretë. Këtë e shoh si zgjidhje. Por, ndoshta për ide të tillë ende është herët”, citon agjencia serbe e lajmeve, Beta, deklaratën e Pacollit dhënë DW.