Reagon ashpër Haxhiu: 200 Euro testi RT-PCR, a jeni normal?!

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka reaguar pas raportimeve se testet PCR për Sars-Cov-2 të cilat po bëhen në laboratorin privat “Medical & Laboratori Services”, po iu kushtojnë qytetarëve kushtojnë 200 euro.

Haxhiu ka thënë se Ministria e Shëndetësisë do të duhej të merrej edhe me punën e rregullimit të çmimeve në momentin kur ka vendosur për licencimin e laboratorëve për kryerjen e testeve për COVID-19.

Ai gjithashtu thotë se ish-Qeveria Kurti dhe qeveria aktuale duhet të japin përgjegjësi se pse nuk janë kryer më shumë teste, meqë sipas tij nëse do të shfrytëzoheshin kapacitetet e plota në IKSHP, s’do të kishte nevojë për licencim të laboratorëve private.

Postimi i plotë:

200 Euro testi RT-PCR, a jeni normal?!

Këtë çmim e ka paguar një qytetar i Kosovës për një test RT-PCR në laboratorin “Medical & Laboratory Services”, i cili është në pronësi të vajzës së Blerim Devollit, që u licencua nga Ministria e Shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë kur ka licencuar laboratoret private është dashur të marrë përsipër edhe rregullimin e çmimeve.

Gjithashtu duhet të jepet përgjegjësi përse që nga fillimi i pandemisë nuk janë shfrytëzuar kapacitetet e IKSHPK-së për më shumë teste.
Ne jemi dëshmitarë se në disa raste brenda 24 orëve janë bërë më shumë se 500 teste.
Përse nuk janë bërë më shumë teste në institucionet publike duhet të përgjigjen të dy Qeveritë Hoti e Kurti.

Sikur të shfrytëzoheshin të gjitha kapacitetet e laboratorëve në sistemin publik shëndetësor, nuk do të kishte fare nevojë që qytetarët të bënin teste në laboratorët privat.