Reagon Arta Rama, thotë se nuk i ka 6 milionë në bankë por 6 mijë euro

Ish kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama – Hajrizi, ka reaguar pas raportimeve se ajo i ka deklaruar para të gatshme mbi 6 milionë euro.

Kjo është bërë bazuar në formularin e deklarimit të pasurisë të publikuar nga Agjencia Kundër Korrupsion,  e që sipas Rama-Hajrizit, është bërë gabim teknik, pasi që bëhet fjalë për 6 mijë euro, jo 6 milionë.

Sqarimi i plotë i postuar në Facebook:

Të nderuar miq,

Sot në mediumin Koha është publikuar lajmi me titullin: “Ish-kryetarja e Kushtetueses me mbi 6 milionë euro para të gatshme”, bazuar në Formularin e Deklarimit të pasurisë për vitin 2020, nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK).

Duke respektuar gjithnjë të drejtën e mediave për informim dhe transparencë, për hir të së vërtetës dhe informimit të saktë të opinionit publik dua t’ju njoftoj se, ky nuk është lajm i saktë, meqenëse është i bazuar në të dhënat e shënuara gabimisht në formularin e deklarimit të pasurisë. Shuma e saktë e parave të gatshme është: 6,311.98 euro (pra 6 mijë), e jo 6 milionë.

Bëhet fjalë për një lëshim teknik në plotësimin e Formularit të deklarimit të pasurisë, për ç’arsye unë nesër do t’u drejtohem zyrtarëve kompetent të kësaj agjencie që sa më parë të korrigjohet ky gabim.

Ju faleminderit për mirëkuptimin!