Reagon Agim Çeku pas ftesës nga Gjykata Speciale

Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku është i ftuari i radhës nga Gjykata Speciale.

Çeku derisa ka treguar që ka marrë ftesë nga Specialja ka thënë edhe se do t’i përgjigjet kësaj ftese.

Nëpërmjet telefonit, ai ka treguar për KosovaPress se ftesës do t’i përgjigjet me 28 shtator, por që shkak i pandemisë së krijuar nga COVID-19, nuk dihet se a do të udhëtoj për në Hagë apo do të intervistohet në Prishtinë.

“Mundem me ua konfirmu që kam marrë ftesë nga Gjykata Speciale dhe ftesës do t’i përgjigjem me 28 shtator dhe kjo është e tëra”, tha Çeku.

Se Specialja së fundmi është duke ftuar krerët e UCK-së, Çeku shkurt tha se kjo është punë e gjykatës.

“Ajo është punë e gjykatës dhe nuk dua ta komentoj”, tha shkurt Çeku.

Ndërsa, vetëm në muajin gusht, mbi 24 ish-ushtarë të UÇK-së janë ftuar nga Specialja, kështu tregoi për KosovaPress, kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati.

“Vetëm në muajin gusht dhe e deri tash më 3 shtator që jemi, janë mbi 24 ftesa që janë dërguar”, tregoi Gucati.

Deri më tani mbi 300 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë ftuar nga Specialja.

“Në total, ata që janë lajmëruar deri më tash, janë mbi 300 deri në ftesën e fundit të zotëri Ceku. E di që numri është më I madh diku 600-700 por ata nuk janë lajmëruar tek ne sepse janë të ftuar edhe civil. E që numrin e tyre nuk e dimë saktë”, tha Gucati për KosovaPress.

Gucati derisa ka treguar për ftesën që i është bërë Çekut ka thënë se ftesa ndaj tij por edhe ndaj pjesëtarëve tjerë të UÇK-së është e papranueshëme.

“Posa kemi dëgjuar se ushtari i UÇK-së, ish- komandanti ka marrë një ftesë nga Gjykata Speciale si i dyshuar që për ne është e papranueshme si për gjithë pjesëtarët tjerë të UÇK-së. Çka na trondit që është po ftohen krerët e UÇK-së dhe kjo tregon se Gjykata Speciale nuk po dënon individin por do ta dënoj luftën e UCK dhe shtabin e UÇK dhe luftën e drejtë. Ne kemi pas shumë arsye kur kemi thënë se kjo gjykatë është raciste , gjykatë e njëanshme që askund në botë nuk ka. Kështu që për ne çdo gjë është e papranueshme”, tha Gucati.