Deputeti Adem Hoxha, bashkëshortja dhe vajza e tyre e mitur janë sulmuar fizikisht të premten. Këtë e ka konfirmuar për Reporteri.net zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 18:30.
Deputeti Hoxha sot ka bërë një postim në Facebook, por jo për rastin në fjalë, pasi nuk e ka shkruar asnjë shkronjë për këtë gjë.
Ai në faqen e partisë së tij “Jedinstvena Goranska Partija” ka ndarë një shqetësim tjetër. Ai është ankuar për një problem me rrymë që, sipas tij, po përballen banorët e Gorës në komunën e Dragashit tash e tre ditë.
“Për të tretën ditë radhazi, banorët e Gorës po përballen me një ndërprerje të plotë të energjisë elektrike. Kjo situatë është përshkallëzuar në një krizë të rëndë humanitare që kërcënon kushtet themelore të jetesës — familjet janë pa ujë të ngrohtë, komunikim, dritë dhe qasje në shërbimet thelbësore”.
Hoxha tha se pavarësisht apeleve të shumta drejtuar të gjitha institucioneve kompetente në nivel lokal dhe qendror, deri më tani nuk ka pasur asnjë përgjigje konkrete apo ndërhyrje efektive.
Ai i ka bërë apel edhe BE-së për reagim urgjent dhe mbështetje për qytetarët e Gorës.
“Qytetarët janë lënë vetëm për t’u përballur me kushte që janë të papranueshme në shekullin e 21-të. Në emrin tim personal dhe në emër të qytetarëve të Gorës, u bëj thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse, partnerëve ndërkombëtarë dhe përfaqësuesve diplomatikë që të reagojnë urgjentisht dhe të ndihmojnë në zgjidhjen e këtij problemi. I bëjmë një apel të veçantë Bashkimit Evropian, si garantues i vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut, që të përdorë ndikimin e tij dhe të mbështesë qytetarët e Gorës në arritjen e kushteve themelore të jetesës. Një furnizim i qëndrueshëm me energji elektrike nuk është luks, por një e drejtë themelore njerëzore. Gora nuk kërkon privilegje — kërkon dinjitet, përgjegjësi dhe përgjigje në kohë”, ka shkruar ai.







