Reagimit të Kosovës i përgjigjet edhe Bosnja, bojkoton ceremoninë e Nobelit për Handke

Kryesuesi i radhës i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelko Komshiq, ka bërë të ditur se në emër të këtij shteti askush nuk do të jetë prezent në ndarjen e çmimit Nobel për shkrimtarin kundërthënës austriak Peter Handke.

Ceremonia do të mbahet të martën në Akademinë Suedeze të Nobelit.

“Kësaj radhe ju informoj se Presidenca boshnjake nuk e ka autorizuar askënd që të marrë pjesë në ndarjen e çmimit Nobel. Në këtë kuptim as në emër të Ambasadës së BeH në Mbretërinë Suedeze”, thuhet në qëndrimin e Zhelko Komshiq, kryesues i radhës i Presidencës boshnjake.

Sipas tij, çdo veprim arbitrar në këtë kontekst, përbën shkelje të Kushtetutës së BeH.

Edhe Ministria e Jashtme kroate, nëpërmjet postimi në profilin e saj në rrjetin social “Twitter”, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel.

“Për shkak të ndarjes së çmimit personit të angazhuar në mbështetjen politikës serbomadhe të Sllobodan Millosheviqit, në vitet 90 të shekullit të kaluar”, thuhet në postimin e Ministrisë së jashtme kroate.

Pas Kosovës, Shqipërisë, Turqisë, Kroacisë e Maqedonisë, Nobelin e bojkoton edhe Afganistani

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se ka marrë konfirmim nga Afganistani që nuk do të marrin pjesë në ceremoninë e dhënies së çmimit Nobel.

Sipas një njoftimi në Facebook, Pacolli ka thënë se ky bojkot vjen pasi Peter Handke mbështeti politikat gjenocidale të Millosheviqit.

“Pas Shqipërisë, Turqisë, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut, sonte kam marrë një telefonatë nga Ministri i Punëve të Jashtme të Afganistanit Idrees Zeman i cili më njoftoi se ai ka udhëzuar Ambasadorin e tyre në Suedi që të bojkotojnë ceremoninë e dhënies së çmimit Nobel të Letërsisë për Peter Handke i cili mbështeti politikat gjenocidale të Millosheviqit”, ka shkruar ai.