Reagime

Reagimet për draftin e pagave, zyrtarët e Qeverisë dhe të LVV’së thonë se asgjë s’është finale

Një draft të ri të projektligjit për pagat në sektorin publik tashmë e kanë disa prej mediave. Me aq sa është publikuar, rrogat që potencialisht mund t’i marrin zyrtarët publikë kanë nxitur reagime. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, thotë se asgjë nuk është finale. Kështu thonë edhe disa prej zyrtarëve të LVV’së. Draftin fillestar të publikuar, e klasifikojnë në nivel të spekulimeve.

Gjatë ditës mediat kanë raportuar se është hartuar drafti i ri i projektligjit për pagat në sektorin publik. Drafti i ri, të cilin e ka siguruar Gazeta Express,  duket ndryshe prej ligjit të mëparshëm, të miratuar gjatë qeverisjes së Ramush Haradinajt, të cilin e kishte pezulluar e më pas e kishte shfuqizuar Gjykata Kushtetuese.

Sipas këtij drafti, koeficientin më të lartë e ka Presidenti/ja e vendit, e që është 20. Pas tij/saj vjen kryeministri/ja, kryeparlamentari/ja dhe kryetari/ja i Gjykatës Kushtetuese me koeficient 19.

Mediat raportuar se vlera e koeficientit do të jetë 120, por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht. Në ligjin e mëhershëm të projektuar gjatë qeverisjes Haradinaj kjo vlerë ishte 239 euro.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se raportimet për draftin janë “qëllimkeqe”, ndonëse mediat e kanë siguruar tanimë atë. Ministri thotë se nuk ka draft final të ligjit të pagave.

“Ministria e Punëve të Brendshme dëshiron të informojë qytetarët se vala e pseudolajmeve që po përhapen me shpejtësi në mediat tona rreth ligjit për pagat e zyrtarëve publik është e pavërtetë dhe qëllimkeqe. As nuk ka draft final të ligjit për pagat e zyrtarëve publik e as nuk ka ndonjë vlerë të koeficientit. Vlera e koeficientit nuk do të jetë pjesë e ligjit për pagat e zyrtarëve publik, meqë e njejta përcaktohet me ligjin e buxhetit”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka thënë se ministria që e udhëheq do të ndajë draftin final me publikun në momentin që ai finalizohet.

Ndërkaq zyrtari i LVV-së në divizionin për media, Arlind Manxhuka, ka shkruar se “në media po qarkullojnë kuota, por ende nuk kemi parë zyrtarisht vlerat e atyre kuotave”. Ai thotë se “jemi ende në nivel spekulimi e mbi këto spekulime po ndërtojmë të vërteta të paqena”.  

Arianit Beqiri, ish-asistent i kryeministrit Albin Kurti, ka rishpërndarë postimin e ministrit Sveçlaa, duke shkruar me shkronja të mëdha “mediat baraz me rrena”.

Statusin e ministrit Sveçla e ka rishpërndarë edhe Luan Dalipi, shef i stafit të kryeministrit dhe zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Ndryshe, Kosova kishte një ligj të miratuar në vitin 2019, për Pagat e Sektorit Publik, të cilin e kishte sponsorizuar ish-kryeministri Ramush Haradinaj. Por, ai ligj u pezullua pasi Avokati i Popullit e coi në Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese më pashtë e hodhi poshtë atë ligj.

Sipas ligjit të shfuqizuar, kuotën më të lartë të pagës në vend, që ishte 10, e kishte Presidenti/ja e vendit. Pas tij/saj, me koeficientin 9 e kishin Kryeministri/ja, Kryeparlamentari/ja dhe Kryetari/ja e Gjykatës Kushtetuese.