Reagimet ndaj postimit të Mulhaxha-Kollçakut për fjalët e pathëna të “analistit” serb

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ka nxitur një debat të gjerë në rrjetet sociale pasi dje shpërndau një citat të një “analisti” serb i cili, sipas atij citati, thoshte se “Albin Kurti s’ka dosje kriminale nga koha e UÇK-së”.

Ky personazh, i cili nga mediat u la pa emër e pa mbiemër dhe u quajt vetëm “analisti serb”, ishte Predrag Markoviqi, i cili nga viti 2015 është edhe nënkryetar i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), e madje shumë nga fjalët që janë cituar nëpër media që kinse janë thënë nga ai gjatë një emisioni në televizionin publik të Serbisë, nuk janë thënë fare nga i njëjti.

Por, postimi i Mulhaxha-Kollçakut, nxiti reagime pasi në atë citat të publikuar nga shumë media, thuhej që Kurti “nuk ka dosje kriminale nga koha e UÇK-së”.

“Albin Kurti është Kryeministri më i rrezikshëm për Serbinë që nga mbarimi i Luftës në Kosovë. Kurti nuk është i korruptuar, nuk ka dosje kriminale nga koha e UÇK-së. Ndërkombëtarët nuk kanë fakte ta kushtëzojnë me asgjë, është njohës perfekt i gjuhës angleze, truri i tij është i shpejtë sikur kompjuteri, intelegjenca e tij e ngritur në kulminacion, mban në mend shumë shifra dhe data. Shumë i rëndë për dialogim, guximtar dhe i pakompromis në qëndrimet e tija, thjesht Albin Kurti është njëri nga Liderët më të kompletuar të gjeneratës së re në Diplomacinë Botërore, fjalimet e tija bindin çdo bashkëbisedues që gjendet dhe dëgjon përballë tij në tavolinë”, ishte citati që mediat ia atribuuan “analistit serb”, citat të cilin e shpërndau dje edhe zyrtarja e Vetëvendosjes, por që pas reagimeve të shumta ai postim nuk gjendet më në faqen e saj.

Ndaj këtij postimi reagoi ndër të parët presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili tha se është krenar që ka qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nga themelimi i saj.

“Jam krenar që kam qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nga themelimi i saj. Ka qenë nderi më i madh në jetën time që ta barti uniformën e UÇK-së dhe të jem Drejtor Politik i saj. Ajo uniformë dhe shërbimi në luftën tonë çlirimtare nuk është hendikep, por nder, përparësi dhe krenari në çdo përballje me këdo”, tha Thaçi në postimin e djeshëm në rrjetin social Facebook.

Ai tha më tej se nuk ka menduar, e lëre besuar, “se do të vijë dita që një deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës të thotë me krekosje se Kryeministri i tashëm i Kosovës në përballje me Serbinë është më i fortë sepse ‘nuk ka dosje kriminale të UÇK-së’”.

“E pyes zonjën në fjalë: çfarë krimi ka bërë UÇK-ja? UÇK ka pasur vetëm një mision – dëbimin e Serbisë nga Kosova. UÇK ëndrrën e popullit të Kosovës e bëri realitet. Fituam lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin. Etiketimet e tilla për UÇK-në, projektin më madhor kombëtar, i kemi dëgjuar vetëm në Beograd dhe në Moskë”, shkroi më tej presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Ai përsëriti se është krenar që ka qenë pjesëtar i UÇK-së dhe Drejtor Politik i saj dhe shtoi se kjo vetëm sa e bën atë më të fortë dhe gjithë bashkëluftëtarët e UÇK-së.

“Ne jemi me fat që kemi bindur aleancën më të fuqishme ushtarake të botës, NATO-n, që të na dalë në ndihmë dhe së bashku ta çlirojmë vendin tonë. Çlirimtarë të Kosovës janë të gjithë qytetarët e Kosovës”, përfundoi Thaçi.

Pas reagimit të tij, erdhën edhe shumë reagime tjera nga zyrtarë partish, deputetë, nga Organizata të Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e nga qytetarë të thjeshtë.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, tha se është mëkat që ka sot njerëz që mundohen ta njollosin luftën e UÇK-së.

Ai i ka bërë thirrje deputetes së LVV-së që të mbledhë dosjet kriminale të UÇK-së nëse i posedon dhe t’i dorëzojë ato në gjykatë.

“Është një mëkat i madh kur edhe sot ka njerëz të tillë që mundohen ta njollosin luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nëse këta njerëz mendojnë që UÇK-ja ka kryer krime le të bëhen dëshmitarë nëpër gjyqe kundër luftëtarëve të cilët sollën lirinë, fal luftës së UÇK-së që solli pavarësinë e Kosovës sot ne kemi shtetin dhe institucionet tona si parlamentin e Kosovës ku deputetja në fjalë Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, Zonja e cila ka siguruar një ulëse në kuvendin e Kosovës dhe subjekti i saj partiak që gjenden në krye të shtetit mos të mendojnë se do munden të ofendojnë, shajnë dhe ta njollosin luftën e drejtë të UÇK-së, mos të mendojnë se historia e Kosovës ka filluar me ta. Të gjithë ne jemi krenarë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ishte pjesa më e mirë e historisë së Kosovës lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si përfaqësues i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i bëj thirrje Fatmires që t’i mbledh dosjet për krimet e UÇK-së nëse posedon, dhe t’i dorëzojë në Gjykatë”, tha Gucati në një postim në Facebook.

Edhe OVL e UÇK-së në Pejë reagoi, duke i thënë deputetes së VV-së se “shpejt paske harru Pejën e vitit 1999, të shkatërruar 80%. E paske harru Qyshkun, Lybeniqin, Katundin e Ri, Dardaninë, Kapeshnicen e Fushën e Pejës, masakrat e tmerrshme kundër njerëzve të pafajshëm. I paske harru shpejt 183 dëshmorët e Pejës e qindra të plagosurit”.

“Edhe pse ka qenë citim, nuk e kemi prit prej teje, se je deputete nga një vend që e pagoi shtrenjtë lirinë. Fatmire, ti assesi të largohesh nga tradita jugosllave. Peja është krenare me bijtë e bijat e saja që sakrifikuan, e ti jeto me turp, me faktin se do mbahesh mend si deputete kundër Luftës Çlirimtare e vlerave të saj”, shkroi kjo organizatë në faqen e saj në Facebook.

Reagim pati edhe nga deputeti i AAK-së Arber Tolaj, i cili tha se “citimi i analistëve serbë nga ana e nënkryetares së VV-së, Fatmire Mulhaxha, me qëllim të ngritjes së Kurtit dhe nënvlerësimit të UÇK-së, është veprim jo vetëm i pa menduar mirë, por i turpshëm dhe dëshpërues njëkohësisht”.

Ndër të tjera, ai tha se tendenca e saj për përfitim të poenëve politikë, nëpërmjet gjuhës së analistëve serbë, është e dhimbshme po aq sa fyese, sikundër që nuk i bën nder as subjektit të saj politik.

“Ky veprim shpërfaq naivitetin e anëtarëve të lartë të VV-së, që me apo pa vetëdije i bashkohen atyre që me shpifje e trillime tentojnë ta zhvlerësojnë luftën tonë të drejtë për liri. Ia rikujtojmë Zonjës Mulhaxha, por edhe atyre që mendojnë si ajo, se Lufta e UÇK-së mbetet pjesa më e ndritur e historisë së Kosovës. Krenar përjetësisht dhe pafundësisht me vlerat sublime të UÇK-së”, shkroi Tolaj në profilin e tij në Facebook.

Ndaj këtyre reagimeve, pasoi një kundërpërgjigje nga deputetja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, e cila ua dedikoi postimin atyre “që nuk i lexojnë postimet deri në fund”.

“Një citat i postuar nga mediat serbe se ardhja e Albin Kurtit paraqet rrezik për Serbinë dhe me gjerë nuk ishin fjalë të mia, patjetër, por vetëm citim se sa shumë ka kundërshtarë të tij. Asnjë fjalë nuk është e imja në atë citim. Për të gjykuar këtë citat, ku kinse duke e lavdëruar Albinin, flitet me gjuhën e urrejtjes, e kam cekur në fund: Në fakt të “kërcënuar” mund të ndihen vetëm ata që flasin dhe sundojnë me veprimet dhe gjuhën e urrejtjes. Çdo interpretim tjetër është i qëllimshëm dhe dashakeq, sepse opinionet e mia dihen botërisht, e sidomos për luftën e shenjtë të UÇK-së dhe gjithë popullit shqiptar”, shkroi gjatë ditës së sotme Mulhaxha-Kollçaku.

E pas kritikave ndaj saj, erdhën edhe reagimet që i dolën deputetes në mbrojtje.

Ministrja e re e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se Fatmire Mulhaxha-Kollçaku është një mjeke e njohur nga Peja, vjen nga një familje e nderuar, e cila gjatë luftës ka pësuar nga regjimi serb.

Ajo theksoi se “duhet të ndalet abuzimi me imazhin e një njeriu të ndershëm, e me kontribut qytetar e politik”.

Më tej, ajo ia numëroi “të bëmat” presidentit Thaçi.

“Presidenti i paska nxitur njerëzit kundër saj duke u thirrur në UÇK. Por ky president e ka sjellë Gjykatën Speciale, të cilën ne nuk e kemi votuar. Ky dhe partia e tij e kanë sjellë Zajednicën dhe ne kemi protestuar. Ky president e ka sjellë idenë për heqjen dorë nga veriu. Ky është bërë mbështetës i ideve të Vuçiqit. I nderuar president, juve duhet të kërkoni falje. Dhe është koha të punojmë për koordinim të qëndrimeve kombëtare, e jo për të mbjellë përçarje”, shkroi Haxhiu në Facebook, duke shtuar se “Kryeministri Kurti ka kërkuar koordinim” dhe se “është momenti që të tregoni se nuk dini të bëni vetëm përçarje”.

Edhe nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, që po ashtu vjen nga partia e Mulhaxha-Kollçakut, tha se Presidenti i vendit, në vend që të merret me statuset e deputeteve në FB, më mirë do të ishte që ai “të kryejë obligimet e tij kushtetuese”.

“Të kujdeset për ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit të vendit, të koordinohet me Kryeministrin dhe Kryeparlamentaren në të gjitha çështjet me interes dhe sidomos në raport me politikën e jashtme. Atë që Kosova ka fituar si rezultat i luftës së pastër e të ndershme të UÇK-së, mobilizimit e kontributit të gjithë qytetarëve të Kosovës, të shqiptarëve gjithandej, të miqve e aleatëve tanë ndërkombëtar, nuk duhet rrezikuar ta humbim tani në liri, nga ata që shkelën mbi vlerat e sakrificat sublime të vajzave e djemve më të mirë”, shkroi Nagavci.

Ajo tha e ka problem që të përcaktohet se cilës deklaratë të presidentit Thaçi t’i besojë, “këtyre të fundit, asaj ku thotë se gjatë luftës ka qenë larg frontit, apo atij momentit kur përkulet dhe çon lule te pllaka ku nderohen viktimat e ‘terroristëve të UÇK-së’”.

“Por një gjë është e rëndësishme, Kosovës i duhet unitet e bashkërendim i veprimeve e qëndrimeve. Ditë jo të lehta kemi përpara, e kjo sidomos e veçmas për shkak të sjelljeve e veprimeve të presidentit të vendit”, përfundoi Nagavci.

Por, çfarë në të vërtet tha “analisti” serb në televizionin publik të Serbisë?

Për këtë çështje, gazetari Enver Robelli ka bërë një shkrim ku sqaron këtë çështje të cilën ai e quajti “fake-news”.

“Të kthehemi te fake-newsi me ‘analistin’ serb. Si ndodhi? Lajmi mori botën shqiptare kur një person nga Bujanoci, shqiptar me nacionalitet, i cili bashkë me kriminelin e luftës Vojisllav Sheshel, merr pjesë si mysafir në ‘debatet’ e televizioneve serbe, shpërndau në profilin e tij në Facebook një grumbull fjalësh gjoja lavdëruese që i paskësh thënë ‘analisti’ serb për kryeministrin e Kosovës. ‘Analisti’ kishte marrë pjesë në një emision të televizionit (publik) serb, i cili është po aq publik sa televizioni i Koresë së Veriut. Çfarë ka thënë Predrag Markoviqi gjendet në webfaqen e RTS-së. Aty ai nuk e thotë as gjysmën e fjalëve që i përshkruhen (atribuohen) në opinionin shqiptar. Shkurtesa UÇK nuk përmendet fare. ‘Analisti’ serb ankohet që në Kosovë nuk ka plazma-keksa. Pjesa tjetër e deklaratës së tij janë broçkulla të çarshisë nacionaliste të Beogradit dhe nja dy-tri fjalë në thelb jo lavdëruese ndaj kryeministrit të Kosovës, por paralajmëruese ndaj opinionit serb: kujdes se ky nuk është si ata të tjerët, por serbët i urren dhe me këtë urrejtje ka ardhur në pushtet”, shkroi Robelli në një opinion të publikuar në Koha.net.

E duke dashur ta mbyll këtë debat, deputetja e LVV-së, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, në ndërkohë në profilin e saj në Facebook e ka vendosur logon e UÇK-së.

Image