Reagime edhe në Tiranë ndaj postimit nxitës të Vuçiqit

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati: “Mos u çudisni me flamurin serb të vendosur nga presidenti i Serbisë mbi hartën e Kosovës, për sa kohë hapësira jonë mediatike strehon zëdhënësit që demonstronin me mburrje ‘risitë’ e projektit të copëtimit të Kosovës!”

Postimi i presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, ku harta e Kosovës shfaqej e mbuluar nga flamuri serb, ka shkaktuar reagime edhe në Tiranë. Ndërkohë që në reagimin e tij ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë ka akuzuar hapësirat mediatike shqiptare, ku, sipas Bushatit, strehojnë zëdhënësit e projektit të copëtimit të Kosovës.

“Mos u çudisni me flamurin serb të vendosur nga presidenti i Serbisë mbi hartën e Kosovës, për sa kohë hapësira jonë mediatike strehon zëdhënësit që demonstronin me mburrje ‘risitë’ e projektit të copëtimit të Kosovës!”, shkruan Bushati në rrjetet sociale.

Sjellim në vëmendje që Ditmir Bushati gjatë kohës që shërbente si ministër në Qeverinë Rama u pozicionua kundër shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Bushati do të deklaronte se ideja e shkëmbimit të territoreve vinte nga Serbia dhe ia doli të përçajë klasën politike në Kosovë.

Një reagim lidhur me postimin e Vuçiqit erdhi edhe nga ministri i Diasporës, Pandeli Majko. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Majko shkruan se me këtë publikim presidenti serb tregoi se i pëlqen papajtueshmëria. Majko thekson se ky është një problem i shtetit serb dhe i seriozitetit të zgjedhur në Beograd.

“Sovraniteti i Republikës së Kosovë garantohet nga NATO dhe jo nga Instagrami”, shkruan Majko. “Republika e Serbisë nënshkroi një deklaratë në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë për të respektuar procesin e paqes rajonale. Diplomacia e fotove në Instagram zhvlerëson seriozitetin e shtetit serb në marrëdhëniet ndërkombëtare”, ka shkruar Majko. “Sovraniteti i Republikës së Kosovë garantohet nga NATO-ja dhe jo nga Instagrami. Kjo është arsye e mjaftueshme që presidenti serb t’u ofrojë shtetasve të vet një të ardhme të cilën mund ta përballojnë. Roli i Gavrilo Principit në kohën e integrimit evropian nuk mirëkuptohet. Serbia duhet të mos kapitullojë përballë pamundësive të saj! As në Instagram!”, shkruan Majko.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar pas postimit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, ku harta e Kosovës shfaqej me flamurin e Serbisë.

“Deklaratat dhe veprimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk i shërbejnë bashkëpunimit, paqes dhe stabilitetit në rajon, ato nxisin konflikt dhe përçarje. Kosova e pavarur është realitet i pakthyeshëm. Shfaqje të tilla nacionaliste dëmtojnë vetëm Serbinë dhe tregojnë qasjen destruktive të lidershipit të saj. Sa më shpejt të pranohet realiteti i Kosovës së lirë dhe të pavarur, aq më mirë do të jetë për Serbinë, popullin e saj dhe për gjithë Ballkanin për të ecur më shpejt drejt BE-së si interesi më i mirë i popujve tanë”, shkruan Basha në Facebook.