Arabia Suadite dërgoi një toksikolog dhe një ekspert kimik në konsullatën e saj në Stamboll, pas vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi. Kështu i ka thënë BBC-së një zyrtar turk. Sauditët e kanë pranuar se Khashoggi është vrarë muajin e kaluar, por kanë qenë kontravers në deklarata për atë që ka ndodhur. Hetuesit turq besojnë se ai është ngufatur deri në vdekje dhe më pas është gjymtuar.

Dy djemtë e Khashoggit bënë një thirrje emocionuese të dielën, në një intervistë për rrjetin CNN.

“E gjitha që duam tani është ta varrosim trupin e tij në varrezën al-Baqi në Medinë”, ka thënë Salah Khashoggi.

Gazetari ka qenë kritik i sundimtarëve në Arabinë Saudite. Ai është vrarë pasi ka hyrë në konsullatën e vendit të tij në Stamboll, më 2 tetor.

Komentet e bëra publike të hënën pasojnë një raport në gazetën e përditshme turke Sabah, se Arabia Saudite ka dërguar në Stamboll kimistin Ahmed Abdulaziz Aljanobi dhe ekspertin e toksikologjisë, Khaled Yahya al-Zahran, si pjesë e një delegacioni të ngarkuar për fshirjen e provave në konsullatë.

Gazeta pretendon se ekipi e vizitoi ndërtesën çdo ditë nga 12 tetori deri më 17 tetor.