Rasti i foshnjës së vdekur në Spitalin e Pejës, LDK e bënë përgjegjës Kurtin – kërkon shkarkime

Lidhja Demokratike e Kosovë (LDK), ka kërkuar dënimin dhe shkarkimin e të gjithë personave të përfshirë në rastin e foshnjës së vdekur, e cila u fut në rrobalarëse e mbështjellë me çarçafë në Spitalin e Pejës.

Deputeti i kësaj partie, Armend Zemaj në një konferencë për media ka thënë se ky rast tregon paaftësinë e Qeverisë menaxhuar me sektorin e shëndetësisë, derisa e bën përgjegjës kryeministrin Albin Kurti, duke e quajtur të “vetë-emëruar ministër të Shëndetësisë”.

“Rasti i supozuar i ka kaluar të gjitha masat. Duhet të shkarkohen dhe të dënohen të gjithë ata që janë të përfshirë në rast si dhe ata që e kanë fshehur. Se paaftësia e qeverisjes në shëndetësi e kemi thënë gjithmonë, mirëpo rasti i foshnjës shkon përtej. Jo shumë ditë nga sot u vra edhe një nënë, që shkoi për të lindur”, ka deklaruar Zemaj.

Zemaj përmendi edhe trendin e ikjes së mjekëve nga Kosova.

“Kemi më shumë se 300 mjekë që kanë ikur në këto 2 vite. Vetëm 5% e buxhetit për investime kapitale është shfrytëzuar në shëndetësi”, ka thënë Zemaj.