Rasti i foshnjes në Pejë, PRAK: Spitali i Pejës dhe SHSKUK të marrin përgjegjësi për rastin skandaloz

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë, sot ka reaguar pas rastit në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, ku një foshnje e lindur pa shenja jete dyshohet se është futur në rrobalarëse, e mbështjellur me çarçafë nga personeli mjekësor.

PRAK ka kërkuar nga Institucionet përgjegjëse që të marrin masa të menjëhershme ndaj personave të përfshirë në rast dhe personave, të cilët kanë tentuar ta fshehin rastin.

“Ky lajm, përveç se është tronditës edhe njëherë shpërfaqë papërgjegjësinë e një pjese të stafit shëndetësor dhe sistemin e brisht shëndetësor që ka vendi! Rasti i fëmiut me autizëm në Gjilan, rasti i vrasjes së gruas dhe fëmiut të saj të palindur në QKUK, rasti i foshnjes në Spitalin e Pejës, janë pasoja të një politike të papërgjegjshme të ndjekur tash e 20 vite e cila po bëhet edhe më e pa përgjegjshme këto ditë, e nëse nuk ka një reformë rrënjësore këto raste do të përsëriten. Kërkojmë nga Institucionet përgjegjëse të marrin masa të menjëhershme ndaj personave të përfshirë në rast dhe personave të cilët kanë tentuar ta fshehin këtë rast.”, është bërë e ditur në reagim.

Gjithashtu, PRAK ka kërkuar nga menaxhmenti i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë dhe ai i SHSKUK-së të marrin përgjegjësi për këtë rast skandaloz që ka ndodhur.

“Përgjegjshmëria dhe llogaridhënja ndaj publikut shkon përtej obligimeve ligjore.”, ka bërë të ditur tutje Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë.

Gjatë javës së kaluar në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, një foshnje e lindur pa shenja jete dyshohet se është futur në rrobalarëse, e mbështjellur me çarçafë nga personeli mjekësor.

Rastin për Kosovapress e kanë konfirmuar nga Prokuroria Themelore e Pejës.

Zëdhënësi i kësaj Prokurorie, Shkodran Nikçi ka deklaruar se Prokurorja e rastit ka pasur një takim konsultativ me prindin e foshnjës.

“Rasti ka ndodhur javën e kaluar. Menjëherë pas informatave në vendin e ngjarjes ka shkuar Prokurori i nga Departamenti i Krimeve të Rënda së bashku me Inspektoratin Shëndetësorë dhe policinë. Rasti është duke u hetuar dhe jemi në pritje të raportit nga Inspektorati Shëndetësorë lidhur me këtë ngjarje. Prokurorja e rastit sot ka pasur një takim konsultativ me prindin e foshnjës për të kuptuar më shumë rreth rastit”, ka bërë të ditur Nikçi.

Ndërsa, Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka bërë të ditur se opinioni do të njoftohet me detaje rreth rastit.