Rasti i dyshimit për ryshfet në gjykatë e prokurori, Apeli merr vendimin për dy të dyshuarit

Gjykata e Apelit e ka lënë në paraburgim Ismajl Ismajli, që dyshohet se ka kryer veprën penale “marrja e ryshfetit” dhe Bujar Pajazitin, që dyshohet së ka kryer veprën penale “dhënia e ryshfetit”.

Bashkë me ta, edhe Fadil Krasniqi dyshohet për marrje ryshfeti, kurse Isuf Selmani për dhënie ryshfeti.

Me aktvendimin e datës 13 mars 2020, u është vazhduar masa e paraburgimit Ismajlit e Pajazitit në kohëzgjatje prej dy muajsh, kurse i është vazhduar masa e arrestit shtëpiak të pandehurit Isuf Selmani.

Ankesë ndaj këtij aktvendimi ka paraqitur mbrojtësi i të pandehurit Ismajli, avokati Driton Musliu, për shkak të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe aplikimit të gabuar të dispozitave të nenit 187 të Kodit të Procedurës Penale, me propozim që të shqiptohet  ndonjë masë altenarnative më e butë.

“Në ankesën e mbrojtësit të pandehurit Ismajl Ismajli, avokati Driton Musliu thekson se nga përshkrimi i rastit dhe veprimeve dhe ngjarjes nga ana e prokurorit të shtetit nuk janë specifikuar se kush cilin veprim e ka kryer. Sipas ankesës dyshimi i bazuar për të pandehurin Ismajl është bazuar vetëm në deklaratën e një bashkëpandehuri i cili pretendon se ka dhënë shumën prej 4000 euro, nëpërmjet të bashkëpandehurit të katërt, i cili edhe është kushëriri i afërt i të pandehurit, e me të cilin janë rritur se bashku”, thuhet në aktvendim të Apelit.

Sipas Musliut, i pandehuri e ka frekuentuar lokalin e të afërmit të vet, i cili ka këtë lokal me qira, ndërsa pronari është i pandehuri Isuf Selmani, gjë që ka mundësi edhe të jenë takuar me këtë të fundit.

“Të gjitha veprimet që i vihet në barrë të pandehurit bazohen në të thënat e dy të pandehurve të tjerë, ndërsa i pandehuri Isuf e pranon në seancë dëgjimore se paratë ia ka dhënë të bashkëpandehurit Bujar, i cili është kushëri i të pandehurit, Ismajl, kinse që i ky i fundit të ndërmjetësojë për t’ia liruar djalin na paraburgimit. Sipas ankesës, nga pozita që mban i pandehuri Ismajl e që është ajo e referentit ekzekutues në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nuk jep mundësi ligjore për ta liruar askë nga paraburgimi”, thuhet në aktvendim të Apelit.

Tutje, thuhet se në ankesë të mbrojtësit  thuhet se i pandehuri Ismajli e ka kuptuar për këto para ka qenë vetëm kur është kontaktuar nga i pandehuri Selmani, i cili ka kërkuar të kthehen paratë e dhëna, për të cilat Ismajli nuk ka ditur asgjë.

Kurse, mbrojtësi i të pandehurit Pajaziti, Asdren Hoxha ankesën e ka paraqitur për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, me propozim që ankesa të aprovohet si e bazuar dhe të pandehurit t’i ndërpritet paraburgimit dhe t’i zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak.

“Sipas ankesës nuk është dhënë arsyetimi lidhur me masat e ndryshme të caktuar në raport me të pandehurin Isuf Seljmani për masën e arrestit shtëpiak. Më tutje, mbrojtësi konsideron se aktvendimi i ankimuar është kontradiktor dhe i pakuptueshëm, ku i referohet edhe faqes 3, pasusit 1, ngase i pandehuri Bujar dyshohet për dhënie ryshfeti në bashkëkryerje me të pandehurit Selmani dhe jo të pandehurin Ismajli”, thuhet në aktvendim të Apelit.

Gjithashtu, Hoxha ka konsideruar se nuk ekzistojnë as kushtet individuale nga neni 187, paragrafi 1, nën paragrafi 1.1 nga pika 1.2.2 dhe 1.2.3.

Ndërkaq, sipas vlerësimit të Apelit, pretendimet e mësipërme ankimore janë të pabazuara, ngase në aktvendimin e ankimuar gjyqtari i procedurës paraprake drejtë ka arsyetuar dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, kusht ky qenësor për vazhdimin e paraburgimit.

“Duke u bazuar fillimisht në deklaratat e të pandehurve, përkatësisht deklarata e të pandehurit Isuf Selmani, i cili e ka përshkruar  se si është takuar me të pandehurit Ismajli dhe Pajaziti, me të cilat janë marrë vesh që ta lirojnë nga masa e paraburgimit djalin e tij Selman Selmani, duke u pajtuar që për këtë shërbim Isuf Selmani të paguaj 4000 euro, të cilat më vonë ia kishte dhënë të pandehurit Pajaziti, e pasi që të pandehurit Ismajli dhe Pajaziti nuk kishin arritur t’ia kryenin shërbimin e premtuar , e as t’ia kthenin paratë si më lartë, i pandehuri Isuf kishte paraqitur rastin në polici”, thuhet në aktvendim të Apelit.

Tutje, thuhet pasi që edhe Ardi, djali i vëllait, të dyshuarit Pajaziti e ka thirrë dhe i ka thënë “Baci Isuf shko lajmëroje rastin në polici se nuk po i përgjigjen marrëveshjes me t’i dhënë paratë përkatësisht Ismajli nuk po i përgjigjet marrëveshjes.

“Të gjitha këto të lartcekura, pra nga provat që gjenden në shkresat e lëndës e mbështesin dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë ndërmarrë veprimet për të cilat dyshohen, e të gjitha këto mbështesin dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen dhe se a do të argumentohen këto fakte , është çështje që do të vlerësohen dhe vërtetohen gjatë fazave të mëtutjeshme procedurale”, thuhet në aktvendim të Apelit.

Ndërsa, sipas vlerësimit të Apelit, është i pabazuar pretendimi ankimor i avokatit Hoxha, përkitazi me zbatimin e masave të ndryshme të sigurisë në raport me të pandehurin Isuf Selmani, sepse gjykata e shkallës së parë ka bërë vlerësimin e drejtë të rrethanave ekzistuese ndaj të pandehurit Pajaziti dhe e njëjta ka vepruar në përputhje me propozimin e prokurorit dhe provave të bashkangjitura shkresave të lëndës në këtë fazë procedurale.

Kjo gjykatë ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë drejtë ka gjetur se ka bazë ligjore për vazhdimin e paraburgimit ndaj dy të pandehurve, ngase ekzistojnë arsyet se të pandehurit do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar dëshmitarët e mundshëm, të cilët i ka përmendur i pandehuri Selmani se kanë qenë të pranishëm kur ia ka dhënë paratë të pandehurit Pajaziti, e të cilën do të dëgjohen në këtë çështje penale.

“Gjë që arsyetohet edhe nga fakti se ende kanë për tu siguruar raportet e ekzaminimit të telefonave, raporti i ekzaminimit të video rekorderi dhe nëse të pandehurit do të mbroheshin në liri ekziston rreziku se ata do të ndikojnë në dëshmitarë me qëllim që t’i ndryshojnë deklaratat e tyre në favor të pandehurve apo të asgjësojnë provat materiale.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejtë kur të pandehurve u ka vazhduar paraburgimin ngase masat e tjera janë të pamjaftueshme për sigurimin e prezencës së tyre në procedurë, në rrjedhën normale të procedurës penale dhe në parandalimin e kryerjes ose përsëritjes së veprave penale.

“Prandaj, me qëllim të zbatimit me sukses të procedurës penale, vazhdimi i paraburgimit konsiderohet i domosdoshëm, kurse ankesat e mbrojtësve së të pandehurve janë refuzuar si të pabazuara”, thuhet në fund të vendimit të Apelit.