Fajde

Rasti “fajde”| Arrestohet edhe një person për rastin ku janë të përfshirë 36 persona

Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar ka arrestuar të dyshuarin A.G. për fajde, të enjten. Ai po kërkohej që nga viti 2023. 

Kjo drejtori, më 18 tetor 2022 pati iniciuar rast për veprën penale “Fajde” dhe më 20 tetor të atij viti në Prokurorinë Themelore në Ferizaj ka dorëzuar kallëzim penal kundër disa të dyshuarve, ndërsa gjatë hetimeve nën autorizimin e prokurorit të rastit me datën 4 maj 2023, ka dorëzuar po ashtu edhe një raport plotësues të kallëzim penal në Prokurorin Themelore në Ferizaj, kundër disa të dyshuarve e në mesin e tyre edhe për të dyshuarin A.G.

Më 17 maj të vitit të kaluar, Policia pati kryer kontroll në pronat e A.G. në Vushtrri dhe të dyshuarin e pati vendosur në kërkim policor. 

“Gjatë hetimeve të kryera deri me tani në këtë rast si të dyshuar janë 36 persona të përfshirë në rastin ‘Fajdeja’ dhe nga ta, deri më tani si të dyshuar, janë të arrestuar 28 persona. Po ashtu ende ka persona ne kërkim policor dhe me urdhër arrest te lëshuar”, ka njoftuar Policia. 

Rasti është ende në hetim nga ana Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar menjëherë caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit.

Prokuroria ka dhënë detaje të tjera rreth A.G. Sipas saj, ekziston dyshimi i bazuar se gjatë vitit 2022, ai ka kontraktuar një shumë joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të tij, në atë mënyrë që i dëmtuari S.B., është detyruar që të marr para hua nga A.G., në shumë prej 60.000 euro, për të cilat ka paguar fajde në shumë prej 90.000.

“Po ashtu, ndaj të njëjtit ekziston dyshimi i bazuar se me datë 13 Tetor 2022, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, në bashkëkryerje, kanë detyruar dëshmitarin, të veproj në dëm të pasurisë së tij, me këtë do të kryenin në bashkëkryerje veprën penale ‘Detyrimi’ nga neni 328 paragrafi 2 të KPRK-së”, njoftoi Prokuroria.