Vdekja e Astrit Deharit në burgun e Prizrenit, dy vjet më parë, pati tronditur opinionin dhe konsiderohet si më e mistershmja e viteve të fundit. Se çka ndodhi atë ditë brenda qelisë ku po mbahej ish-aktivisti i Vetëvendosjes ende nuk është përfundimtare, megjithatë organet e sigurisë iu patën referuar nga fillimi si vetëvrasje. Meqë rasti është dërguar për super ekspertizë në Zvicër, kualifikimi për të ka ndryshuar; tashmë po cilësohet si “vdekje e dyshimtë”. Këtë e kanë konfirmuar për Express edhe nga prokuroria, duke treguar edhe kur presin të marrin rezultatet e fundit.
Ekspertizat e kryera në Kosovë nga prokuroria e nga ekspertë të pavarur që ranë ndesh me mënyrën e vdekjes së Astrit Deharit, më 5 nëntor të vitit 2016 ngritën edhe më shumë dilema për këtë rast. Se çka kishte ndodhur atë ditë do të kuptohej vetëm me një ekspertizë të kryer në një vend tjetër.
Duke dashur të hidhet dritë mbi këtë vdekje, Kuvendi i Kosovës në dhjetor të vitit 2016 miratoi rekomandimet, ku thuhej se “familja mund të kërkojë ekspertizë nga çdo vend i BE-së, ose SHBA dhe Qeveria t’i heqë të gjitha shpenzimet”.
Familja Dehari zgjodhi Zvicrën, e shteti ndau 50 mijë euro.
Edhe pse kanë kaluar gati një vit kur prokuroria ka përcjellë për në Zvicër raportin me provat dhe dokumentet, rezultati i super ekspertizës ende nuk është dorëzuar.
Derisa po kryhet super ekspertiza, kanë ndërruar edhe deklaratat e prokurorisë për këtë rast, tashmë, edhe në dokumente rasti “Dehari” nuk po cilësohet si vetëvrasje, por, si “vdekje e dyshimtë”.
Kjo bëhet e ditur edhe në dokumentin zyrtar që ka siguruar Express, i dërguar nga Prokuroria Themelore në Prizren, nga ku mësohet edhe emri i personit që do të kryejë ekspertizën.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express edhe prokurori Metush Biraj, duke thënë se pa marrë raportin nga Zvicra nuk kanë dalë me përfundime se a është rast i dyshimtë apo vetëvrasje.
“Rasti është trajtuar qysh moti si vetëvrasje, po aty është lojë fjalësh na nuk kemi kurrë far indikacioni që ka të bëjë me vrasje është trajtuar si rast i dyshimtë, mirëpo tash gjatë veprimeve hetuese që i kemi marrë që dy vite aty asnjë indikacion asnjë veprim nuk e ka sjellë që kemi të bëjmë me vrasje, megjithatë, përsëri për me sqaru punën me opinion e kemi dërguar rastin në trajtim në Lozanë dhe jemi duke pritur nga ta që të dalim me komunikatë a kemi të bëjmë me vetëvrasje apo çka”, deklaroi Biraj.
Siç mëson Express rasti është në fazë të fundit dhe pritet që shumë shpejt të përmbyllet dhe raporti të dërgohet për në Kosovë.
Reagim për këtë ndryshim të referimit kanë pasur edhe nga familja Dehari.
“Prokuroria Themelore në Prizren më nuk e cilëson as përmes deklaratave se ish-aktivisti i Vetëvendosjes Astrit Dehari ka bërë vetëvrasje. Tani edhe me dokumente zyrtare, me vendimin me të cilin sipas kërkesës së familjes Dehari rastin e ka dërguar për hetime të pavarura dhe në kuadër të këtyre hetimeve është kërkuar super ekspertizë nga qendra e mjekësisë ligjorë në Lozanë të Zvicrës. Tani prokuroria me këtë vendim rastin e kualifikon si “vdekje e dyshimtë”, tha për Express avokati Tomë Gashi.
Familja Dehari ka dërguar një kërkesë për të gjitha provat dhe dokumentet që ka dorëzuar në Zvicër prokuroria.
“Ne besojmë se të gjeturat nga Zvicra nuk do të duhej që të vonohen shumë nga se kanë kaluar më shumë se dy vite nga vrasja e Astrit Deharit dhe rasti do të duhej edhe juridikisht të mbyllet si vrasje dhe pastaj të gjenden vrasësit e tij”, ka përfunduar avokati Gashi.
Aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor të vitit 2016.
Dehari po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se ishte pjesëmarrës në sulmin me mjet shpërthyes kundër Kuvendit të Kosovës në natën e 4 gushtit të atij viti./







