Pas 14 rasteve pozitive me koronavirus të regjistruara gjatë ditës së djeshme në vendin tonë, janë konfirmuar edhe dy raste të reja në komunat veriore të Kosovës.
Me konfirmimin e këtyre rasteve, numri i të infektuarve në këtë pjesë ka shkuar në 115, 86 prej të cilëve janë shëruar dhe nëntë kanë vdekur meqë nuk kanë arritur t’i bëjnë ballë kësaj sëmundje.
Kjo është bërë e ditur nga drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Djuric, i cili tutje njoftoi se edhe 3 persona të tjerë tashmë kanë rezultuar si të shëruar plotësisht.
Ndërkaq, vetëm brenda 24 orëve që lamë pas, në të katër komunat veriore janë testuar 12 persona që dyshohej se janë prekur me koronavirus, duke rezultuar vetëm në dy raste pozitive, ndërsa numri i të testuarve deri më sot ka arritur në 1 mijë e 275.
“Deri më tani, gjithsej 115 njerëz janë sëmurë, 86 janë shëruar dhe 9 kanë vdekur. Ata u sëmurën nga Mitrovica (43), Zvečan (25), Leposavić (23), Zubin Potok (24). Pacientët ishin akomoduar në KBC Kosovska Mitrovica (6), Qendra Studentore Kosovska Mitrovica (13), KC Kragujevac (1)”, thuhet tutje në të dhënat e paraqitura.







