Rashit Qalaj i PDK-së: Albin Kurti të raportojë për Fondin e Ushtrisë në Kuvend

Shuma e donacioneve të grumbulluara në Fondin për Ushtrinë vazhdon të mbahet sekrete, kjo sipas ekzekutivit për shkak siguria kombëtare.

Po deputetët e Kuvendit po kërkojnë që mjetet e grumbulluara që parashihet të përdoren për mbështetje të prioriteteve, duke përfshirë fushën e mbrojtjes, infrastrukturën e sigurisë, menaxhimin e katastrofave natyrore etj, të jenë transparente.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj tha se që nga inicimi i këtij Fondi nuk ka pasur transparencë nga Qeveria e Kosovës.

Tutje, ai shtoi se qytetarët kanë të drejtë ta dinë se sa mjete janë mbledhur, duke shtuar se ai është dashur që të formohet përmes Kuvendit me votat e deputetëve, e jo me vendim të Qeverisë.

Madje ai thotë se kryeministri Albin Kurti duhet që për Fondin të raportojë në Kuvend.

“Që nga themelimi i këtij Fondi nuk kemi ndonjë transparencë absolute nga Qeveria e Kosovës. Fillimisht kur është themeluar Fondi nga Qeveria është thënë që do të jetë Fond për Forcën e Sigurisë së Kosovës për sigurinë. Qysh në vendimin e Qeverisë për themelimin e këtij Fondi ka diçka që nuk shkon dhe nuk ka bazë ligjore meqenëse ky Fond do të kishe me qenë mirë të sillej në Kuvend pastaj deputetët të votojnë. Më e keqja është që Fondi është bërë i klasifikuar nga Qeveria e Kosovës”, tha ai për Ekonomia Online.

“Qytetarët nuk lejohen të dinë asgjë dhe nuk ka transparencë ndërsa po të ishte ky Fond transparent secili qytetarë do të kishte pasur qef ta shihte edhe online se sa para po mblidhen dhe kush po kontribuon. Duhet ta thërrasim kryeministrin Kurti që të raportojë në Kuvend lidhur me Fondin. Ne mendojmë që ushtria duhet të përkrahet me buxhetin e Kosovës. Ne si PDK kemi kërkuar që të sillet sa më shpejt Ligji i buxhetit dhe të bëhet rishikimi dhe të ndahen mjete shtesë për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ne si PDK jemi në mbështetje të ndarjes së 100 milionë eurove për ushtrinë tonë”, tha Qalaj.