Ministri për Kthim

Rashiq: Shumë shpejt do të hiqet vendimi për ndalimin e mallrave serbe, është gjëja e parë në agjendë

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka deklaruar se shumë shpejt do të tërhiqet vendimi që ndalon hyrjen e mallrave serbe në Kosovë.

Këtë informacion, Rashiq tha se e ka marrë nga kryeministri Albin Kurti.

Ndonëse nuk dha një datë të saktë se kur mund të ndodh, Rashiq shtoi se është “gjëja e parë në agjendë”.

“Mendoj se do të ndodh së shpejti, me faktin se po lutem që të mos ketë ndonjë komplikim shtesë, që të mos bie në plan të dytë sepse është tani gjëja e parë në agjendë”, tha Rashiq për RTK.

Për shkak të këtij vendimi të Qeverisë që u mor në qershor, e që Kurti e quan “masë të sigurisë”, ai të enjten mori vërejtje nga Ambasada e SHBA-ve në Kosovë.

Një zëdhënës i Ambasadës tha se meqë Kosova dhe Serbia përpiqen për integrim evropian, duhet të ndërmarrin veprime “që promovojnë më tej qarkullimin e lirë të mallrave përtej kufijve të saj, jo veprime që e pengojnë atë”.

Serbia është në top 5 shtetet nga të cilat Kosova importon më së shumti mallra.

Mallra në vlerë prej 372 milionë eurosh kanë hyrë nga Serbia në Kosovë vetëm gjatë vitit të kaluar.

Ndërkaq Kosova ka shitur në Serbi mallra në vlerë prej rreth 62 milionë euro.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në qershor të vitit 2022, Kosova ka importuar mallra nga Serbia në vlerë prej 33 milionë e 757 mijë euro. Në periudhën e njëjtë të vitit 2023, importet nga Serbia janë në vlerën e 13 milionë e 255 mijë eurove.