Rashiq kundër ndryshimit të kufijve: Serbët e Kosovës të jenë iniciues të dialogut

Përfshirjen e serbëve të Kosovës në procesin e dialogut Kosovë-Serbi e ka parë të domosdoshëm Nenad Rashiq nga koalicioni parazgjedhor “Sloboda”.

Kandidati për kryeministër të Kosovës nga koalicioni “Sloboda” ka deklaruar se në proces të bisedimeve duhet të bëhet e qartë se nuk ka ndryshim të kufijve, pasi kjo temë sipas tij vetëm sa e dëmton të gjithë procesin.Ai në një bashkëbisedim me qytetarë nëpërmjet Facebook, organizuar nga Institutit Demokratik i Kosovës, është përgjigjur në pyetjet lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ku kërkoi përfshirje direkte të serbëve të Kosovës në dialog, madje të jenë edhe iniciues të këtij procesi.Rashiq tha se si koalicion “Sloboda” janë kundër të gjitha atyre elementeve që parashohin ndryshim të kufijve.

“Është mirë të sqarohet para dialogut që nuk ka ndryshim të kufijve. Ky është një element esencial, i cili duhet të jetë i qartë për të gjithë. Prej ndryshimit të kufijve të gjithë ne humbim, jo vetëm si serbët, jo vetëm si shqiptarët. Por, paramendojeni nëse ndodhet në diplomaci që shtete të ndryshme që po kanë një bashkëpunim diplomatik me Kosovën kur duhet ta ndërrojnë hartën për shembull, duhet ta ndërrojnë krejt konceptin që e kanë pasur deri më tash për Kosovën. Në fund, te ne në nivelin teknik ose rajonal në terren do të ketë një ndikim absolutisht negativ, në veçanti për serbët e Kosovës, në veçanti për ata që nuk janë të integruar me tërë kapacitetet në shoqërinë kosovare”, tha ai.

Rashiq ka qenë kritik se deri më tani serbët e Kosovës nuk kanë qenë të përfshirë në procesin e dialogut, teksa shtoi se të gjithë duhet ta kuptojnë se cilado marrëveshje që bëhet pa qenë e iniciuar nga serbët e Kosovës, nuk do të jetë valide.Nga qytetarët është pyetur se si e vlerëson krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, ku Rashiq deklaroi se në këtë moment nuk sheh hapësirë ku mund të instalohet ‘një nivel i tretë i pushtetit’.

Ai është pyetur nga qytetarët se a beson që koalicioni “Sloboda” e largon ndikimin negativ që Beogradi e ka pasur në vazhdimësi nëpërmjet listës serbe dhe a e njeh ky koalicion pavarësinë e Kosovës.

Rashiq deklaroi se ndikimi negativ që është krijuar prej Listës Serbe nuk mund të riparohet në 10 vjetët e ardhshme, pasi ka ndikuar që serbët e Kosovës të mos integrohen në institucionet e shtetit të Kosovës.Sa i përket pavarësisë së Kosovës, Rashiq tha se gjithmonë kanë punuar që të ndërtohet një shoqëri moderne e cila e njeh dhe e pranon çdo qytetarë të saj. Ai tha se në këtë frymë është edhe kandidatura e tij për kryeministër, pasi ka kërkuar rivalitet të barabartë me kandidatët shqiptarë.

I pyetur nga qytetarët se a do të arrihet paqja mes serbëve dhe shqiptarëve, Rashiq u shpreh optimist.Rashiq është pyetur edhe pse shteti serb nuk e pranon gjenocidin e kryer në Kosovë, ku ai ka thënë se nga të dyja palët ka pasur krime individuale për çka nuk duhet të fajësohet tërë populli.

Ai ka rikujtuar kur në vitin 2014 ka refuzuar të jetë pjesë e Listës Serbe, pasi sipas tij kjo ka qenë kundër interesave të serbëve të Kosovës. Rashiq u shpreh se në mënyrë politike e ka paguar këtë qëndrim të tij, por që tha se prapë do të kishte vepruar në mënyrë të njëjtë.

loading…