Rashiq i sugjeron Stanos që ta lexojë Kushtetutën e Kosovës

Ministri Nenad Rashiq i ka reaguar zëdhënësit të Bashkimit Europian, Peter Stano, pas deklaratës së tij që tha se Rashiq u emërua nga kryeministri Kurti pa qenë në përputhje me Kushtetutën “sipas vlerësimeve preliminare”.

Rashiq ia ka sugjeruar Stanos që ta lexojë Kushtetutën e Kosovës, derisa ka përmendur një nen të Kushtetutës që thotë se kryeministrit i lejohet që të përcaktojë vetë për kabinetin qeverisës pa konsultim me Kuvendin.

“Kur e pashë biografinë e Stanos, nuk e pashë se ai kishte njohuri me Kushtetutën e Kosovës, ndaj i sugjeroj ta lexojë me kujdes”, tha Nenad Rashiq, shkruan Kosovo Online, transmeton Gazeta Express.

“Neni 94 thotë se kryeministri, sipas ligjeve të Kosovës, ka të drejtë të shkarkojë dhe emërojë ministrat pa pëlqimin e Kuvendit”, ka thënë Rashiq.

Në një konferencë për media, Stano ka thënë se “sipas vlerësimeve preliminare, emërimi i tij nuk ka qenë në përputhje me kushtetutën”.

“Është shumë e rëndësishme që të gjitha emërimet e ministrave të jenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. U bëjmë thirrje autoriteteve në Kosovë që të sigurojnë respektimin e kushtetutës. Sipas leximit tonë preliminar, ky emërim nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Stano.