Rashiq: Haradinaj s’pati rrugë tjetër, duhej t’i shkarkonte ministrat serbë

Zyrtari i Partisë Liberale Serbe në Kosovë, Nenad Rashiq, ka thënë se vendimi i kryeministrit Ramush Haradinajt për shkarkimit e zëvendësministres Vesna Mikiq dhe ministrit Ivan Todosijeviq, ka qenë i duhuri.

Rashiq ka thënë në emisionin Pressing të T7 se Haradinaj s’kishte zgjedhje tjetër pos shkarkimit të zyrtarëve serbë, pas deklaratave të tyre se shqiptarët janë terroristë dhe masakra e Recakut ka qenë një fabrikim.

“Kryeministri nuk pati zgjidhje tjetër pos t’i shkarkonte znj. Mikiq dhe z. Todosijeviq pas atyre deklaratave”, ka thënë Rashiq.

Ai thotë se duhet të kenë kujdes zyrtarët serbë në Kosovë kur të deklarohen publikisht.

“Duhet të kenë kujdes se cka po flasin. Ata që janë në pozita, në institucione duhet të kenë kujdes të mos japin deklarata që nxisin urrjejte”, ka thënë Rashiq.