Nenad Rashiq

Rashiq është skeptik për zgjedhjeve në veri, fajtor është Vuçiq

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq ka deklaruar se do të donte që të gjithë banorët në veri të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme atje por se në këtë moment nuk e sheh që është e mundshme, pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk e ka qëllim përshpejtimin e zgjedhjeve, rrethanave politike apo marrëveshjen përfundimtare.

Rakiq në një konferencë për media tha se në këtë moment është skeptik se mund të ketë zgjedhje në veri pasi nuk sheh vullnet pozitiv të qytetarëve në veri dhe as të radikalëve nga partia e Vuçiqit dhe Listës Serbe.

“Kisha pas dëshirë që të gjithë banorët në veri të marrin pjesë në zgjedhje. Nuk e shoh që në këtë moment është e mundshme, përkundrazi, unë e shoh që në kryenegociatorët e Beogradit nuk e kanë qëllim përshpejtimin e zgjedhjeve, rrethanave politike, qoftë shkuarjes në një dialog që na sjell deri në marrëveshjen përfundimtare, prandaj sa do që të mund ta shtyjnë procesin do ta shtyjnë dhe në këtë moment nuk e shoh një vullnet pozitiv as të qytetarëve në veri, as të atyre radikalëve që këtë proces ta sjellim deri në fund. Kjo është fakt i keq por është fakt dhe po na duhet një stimulim nga pushteti në Beograd sa i përket nënshkrimit të peticionit, pastaj referendumit e kështu me radhë. Sa i përket rezultateve në këtë moment unë jam skeptik“, tha ai.

Ai ka folur se si Vuçiq ngrit tensione dhe dramatizon situata, vetëm për të qen si njeri i domosdoshëm në procesin e dialogut që po zhvillohet në Bruksel.

“Metodologjia e tij është se ata ose ai është pashmangshëm në procesin e stabilizimit të marrëdhënieve prandaj kjo është një lojë si kur prej librarëve politike ku ju e bëni një dramatizim ose një përshkallëzim të lehtë që të konfirmohet se jeni i domosdoshëm gjatë gjithë procesit dhe kjo krejt çka po ndodh qoftë prej kërcënimeve që kanë ndodhur ndaj policëve, qoftë prej atyre që gjatë dy muajve të fundit që i kemi punësuar nga 25 deri në 35 persona në Komunën e Leposaviqit, ndaj të gjithë atyre po bëhet presion për çdo moment, për çdo ditë, vetëm që të dëshmohet se ata të cilët udhëheqin në veri duhet të jenë pashmangshëm, duhet të janë pyetur, duhet të jenë pjesë e një procesi për qetësim të situatës, dhe bazuar në këtë lidhur me ndërtesat në veri, po radhazi po bëhet një presion prapë është në interesin e tyre që të jenë kryesor dhe pashmangshëm në tavolinën e negociatorëve. Unë me të vërtet e kisha shtyrë edhe më shumë. …dhe nuk e kisha lejuar ata që ta dramatizojnë situatën, duhet të jemi më të ngadalshëm me hapa të vogla por me hapa të sigurta”, tha ai.

Sipas tij, janë mbi 500 automjete që janë djegur në veri të Kosovës.

“Sa i përket automjeteve që janë djegur, fatkeqësisht në mos gabofsha kjo është mbi 500 automjete që deri më tash janë djegur në veri të Kosovës, shumica prej njerëzve, veçanërisht policët tregojnë se e dinë saktë urdhra e kujt janë dhe pse po bëhet një gjë e tillë, zakonisht bëhet për shkak të pareve, jo për shkak të patriotizmit, ideologjie por për shkak të parave”, tha ai.

Ai duke komentuar ndalimin e serbëve të Kosovës në kufirin Kosovë-Serbi, ka thënë se një gjë e tillë ndodh vetëm në Kore të Veriut dhe çdoherë që nga viti 2015, ka informuar diplomatë të huaj.