Raportuesja për Kosovën që mbështet Kurtin: Të gjithë duhet të respektojnë vendimin e Kushtetueses

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon e cila është përkrahëse dhe mbështetëse e madhe liderit të VV’së, Albin Kurti, ka befasuar me reagimin e saj.

Eurodeputetja gjermane e cila u bë zë i ashpër kohëve të fundit duke përkrahur Vetëvendosjen dhe kritikuar LDK’në, tani po mendon ndryshe.

Cramon ka kërkuar që të gjitha palët ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dekretin e Hashim Thaçit për ta mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për postin e kryeministrit.

“Të gjitha palët duhet të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese; kjo është gjëja më e rëndësishme tani dhe nuk ka alternativë. Teksti i kushtetutës për fat të keq lë shumë hapësirë për interpretim dhe kështu e kuptoj se pse shumë njerëz janë të irrituar, por respektimi i shtetit të së drejtës do të thotë gjithashtu që të pranosh vendimin e gjykatës, pavarësisht nëse të pëlqen apo jo.

“Tani është përgjegjësia e Avdullah Hotit të gjejë shumicën në parlament dhe të formojë një qeveri të qëndrueshme për Kosovën. Si deputete e Parlamentit Evropian, mund të them se kush dëshiron ndryshime në peizazhin politik, duhet t’i arrijë ato përmes kutisë së votimit dhe jo në rrugë. Në zgjedhjet e ardhshme, shpresojmë që të fitojnë partitë që më në fund do t’i mënjanojnë hapësirat për interpretim në kushtetutë, të cilat shfrytëzohet vazhdimisht nga aktorët politikë në Kosovë. Njerëzit kanë të drejtë për një kushtetutë koherente! “, ka thënë von Cramon-Taubadel për DW.

Kujtojmë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Lëvizja Vetëvendosja ka paralajmëruar rezistencë, protesta e revolta në Kosovë.