Raportohet se po Majlinda Bregu hetohet për korrupsion si pjesë e RCC-së

Zyrtarët e Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit po kontrollojnë sesi janë shpenzuar paratë e BE-së në sekretariatin e organizatës së kryesuar nga ish-politikania shqiptare Majlinda Bregu me seli në Sarajevë.

Hetuesit nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) hynë në ambientet e Sekretariatit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) në Sarajevë javën e kaluar, si pjesë e një hetimi mbi mashtrimin e pretenduar të tenderëve dhe dyshimet për parregullsi të tjera në punën e organ ekzekutiv i kësaj organizate ndërkombëtare, anëtar i së cilës është edhe Mali i Zi, mëson gazeta nga Podgorica “Vijesti” duke u thirrur në dokumente dhe burime diplomatike të afërta me hetimin, transmeton Demokracia.com.

Në qarqet diplomatike spekulohet se hetimi i OLAF, i cili u hap në mars të këtij viti, po kontrollon nëse janë keqpërdorur disa qindra mijëra euro gjatë vitit të kaluar dhe këtë vit për shkak të shkeljes së procedurave për prokurimin publik të mallrave dhe shërbimeve dhe korrupsionit të mundshëm.

Në një nga tenderët e kontestuar për shërbime konsulence, pretendohet se menaxhmenti i sekretariatit të KBR-së, i drejtuar nga ish-politikania shqiptare Majlinda Bregu që prej janarit 2019, ka urdhëruar që kontrata t’i jepet një kompanie nga Shqipëria që nuk ka kaluar raportin e komisionit të brendshëm, dhe jo një nga dy kompanitë nga vendet e tjera të rajonit që plotësonin kërkesat.

Dyshohet se po shqyrtohet edhe rregullsia e disa tenderëve të tjerë, përfshirë organizimin e konferencave në rajon, si dhe për prokurimin e mallrave dhe shërbimeve. Gjithashtu spekulohet se dhënia e granteve është nën vëzhgimin e hetuesve të OLAF.

“Të krijohet përshtypja se kompanitë, organizatat dhe konsulentët nga Shqipëria favorizohen në mënyrë të pajustifikueshme në shumë tendera”, tha një burim diplomatik, i cili ka dashur të mbetet anonim.

“Vijesti” mësoi nga Ministria e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, e cila kryeson procesin e bashkëpunimit në Evropën Juglindore që nga 1 korriku, se Sekretariati i KBR-së, që është organ ekzekutiv i KBR-së dhe SEECP-së, zyrtarisht ka konfirmuar gojarisht se javën e kaluar që hetuesit e OLAF ndodhen në ambientet e Sekretariatit.

Një nga burimet diplomatike tha se OLAF kontrollon dhe sekuestron dokumente, kompjuterë dhe telefona të punonjësve të Sekretariatit, duke përfshirë komunikimet e ndërsjella me e-mail.

OLAF nuk e ka konfirmuar e as mohuar ekzistencën e hetimit për “Vijesti”, as nuk është përgjigjur në pyetjet për fazën e tij, cili ka qenë vendimi për rezultatet e hetimit nëse është marrë dhe nëse është përcjellë tek institucionet kompetente. Pyetjet se sa njerëz nga Sekretariati i KBR-së u dëgjuan gjatë hetimit dhe në çfarë cilësie, si dhe nëse ata informuan Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë (DG NEAR), e cila financon shumicën dërrmuese të aktiviteteve të KBR-së, nuk u përgjigjën.

“Ne nuk jemi në gjendje t’u përgjigjemi pyetjeve tuaja. OLAF zakonisht nuk komenton për rastet që mund ose nuk mund të trajtojë. Kjo për qëllimin e mbrojtjes së konfidencialitetit të çdo hetimi dhe procedimi gjyqësor të mundshëm që mund të lindë prej tyre, si dhe për të garantuar respektimin e të dhënave personale dhe të drejtave në proces”, thanë për “Vijesti” nga zyra për media e OLAF.

OLAF është përgjegjëse për hetimin e mashtrimit, korrupsionit dhe akteve të tjera që prekin interesat financiare të Bashkimit Evropian, në lidhje me shpenzimin e parave të taksapaguesve të BE-së, duke përfshirë ndihmën e huaj, si dhe abuzime të dyshuara serioze nga punonjësit e BE-së dhe institucionet e saj.

“Pas përfundimit të hetimit, OLAF u rekomandon institucioneve dhe autoriteteve kombëtare se si të procedohet: kjo zakonisht përfshin fillimin e hetimeve penale, rimbursimet dhe masat e tjera disiplinore dhe administrative. Më pas ai monitoron se si zbatohen këto rekomandime”, thuhet në faqen e internetit të OLAF.

Bregu nuk iu përgjigj pyetjeve të “Vijesti” në lidhje me parregullsitë e pretenduara dhe hetimin, duke përfshirë nëse ajo dhe zëvendësja e saj Tanja Mishçeviq kanë marrë pjesë në ndonjë mënyrë në procedurat e prokurimit publik nën hetim nga OLAF, nëse janë marrë në pyetje dhe në çfarë cilësie.

Në vend të kësaj, zyra e shtypit e KBR dërgoi një tekst ku thuhej se “Sekretariati i KBR… është një organizatë që krenohet me punën e saj, si dhe me transparencën dhe llogaridhënien për aktivitetet e saj, të cilat monitorohen nga afër dhe rregullisht auditohen dhe vlerësohen nga të gjithë anëtarët e Bordit”, të cilin Sekretariati “raporton në mënyrë të vazhdueshme”. /Demokracia.com/