Disa aktivistë të Arabisë Saudite, përfshirë një numër të grave, të cilët janë arrestuar pa urdhër nga gjykata që nga maji i këtij viti, besohet se janë përballur me ngacmim seksual, torturë dhe forma tjera të keqtrajtimit gjatë marrjes në pyetje. Sipas tri dëshmive të siguruara nga organizata “Amnesty International”, aktivistët kanë qenë vazhdimisht të torturuar me elektroshok dhe goditje me shkop, duke ua dëmtuar aftësinë për ecje apo qëndrim në këmbë.
“Vetëm disa javë pas vrasjes së gazetarit Khashoggi, këto raporte tmerruese të torturimit, ngacmimit seksual dhe formave tjera të keqtrajtimit paraqesin shkelje të rënda të të drejtave të njeriut nga autoritetet e Arabisë Saudite”, thotë Lynn Maalouf, drejtoreshë e hulumtimeve për Lindje të Mesme në organizatën “Amnesty International”.
“Autoritetet saudite janë drejtpërdrejt përgjegjëse për mirëqenien e këtyre burrave dhe grave të burgosura. Jo vetëm që u është mohuar liria që disa muaj thjesht për shkak të shprehjes së qëndrimeve të tyre, por tash ata po iu nënshtrohen vuajtjeve fizike”, shtoi ajo. Sipas dëshmive të siguruara, të burgosurit kishin edhe shenja në trup dhe dridhje të pakontrolluar të duarve. Raportohet se një nga aktivistët ka tentuar të bëjë vetëvrasje brenda burgut.
Shumë të ndaluar kanë thënë se tortura është përdorur nga autoritetet që t’i detyrojnë aktivistët që të rrëfehen, t’i ndëshkojnë për refuzimin për t’u penduar dhe t’i detyrojnë që të premtojnë se nuk do ta kritikojnë më qeverinë. Në anën tjetër, dyshohet se autoritetet e burgut i kanë kërcënuar të ndaluarit që të mos iu tregojnë familjarëve për torturat e përjetuara. Tortura dhe keqtrajtimet në burgjet e Arabisë Saudite kanë qenë të raportuara edhe në vitet e kaluara. Në këtë mënyrë, Arabia Saudite i ka shkelur detyrimet e Konventës Kundër Torturës, shkruan “Amnesty International”, transmeton Gazeta Express.







