Ministri i Financave

Raporti për favorizim të komunave të VV’së, Murati sulmon GAP: E pavërtetë – tërë kjo zhurmë po bëhet për 13 milionë euro

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka drejtuar akuza ndaj Institutit GAP, lidhur me raportin për Projekt-buxhetin për vitin 2024. Sipas raportit të GAP, edhe këtë vit janë favorizuar komunat që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, sa i përket investimeve kapitale nga niveli qendror.

Murati ka thënë se kjo është e pavërtetë, derisa ka shtuar se “tërë kjo zhurmë po bëhet për 13 milionë euro”, raporton Express.

“Tërë kjo zhurmë po bëhet për 13 milionë euro, na pardje i nënshkruajtëm 80 milionë euro për Komunën e Prishtinës. 13 milionë euro është krejt zhurma që po bëhet. Kështu që konsideroj që është e padrejtë të bëhet një sulm i tillë. Komunat kurrë më shumë buxhet nuk kanë pasur. Është shtuar për 200 milionë euro buxheti i komunave nën qeverisjen tonë, për shkak se kemi arritur të rrisim mbledhjen e të hyrave që mbledhim nga tatimet, duke e formalizuar ekonominë por edhe duke e rritur aktivitetin ekonomik”, ka deklaruar Murati, në një konferencë pas mbledhjes së Qeverisë.   

Ai tha se pas raportimeve lidhur me këtë raport është kontaktuar edhe drejtpërdrejtë nga qytetarët, që kanë shprehur shqetësim.

“Ka pas edhe shumë qytetarët që drejtë më kanë kontaktu të habitur ndoshta edhe të shqetësum nga disa raportime të mediave, që bazohen nga një raport i hartuar nga një organizatë e shoqërisë civile, duke thënë se a është e vërtetë së ne Komunën tonë s’ka asnjë investim. Mund të them me përgjegjësi të plotë, se kjo është e pavërtetë. Pra, nëse qëllimi i atij raporti ka qenë dezinformimi i qytetarëve, mund të them se ia kanë arrit ta dezinformojnë qytetarin. Pra, kemi qytetarë të dezinformuar nga ai raport”, ka thënë Murati.

Sipas Muratit, nuk është e vërtetë që ka dallim apo favorizim të komunave.

“Buxheti është i dedikuar për komunat…Kushdo që ka kohë të hyjë ta lexojë rresht për rresht buxhetin, mund ta shoh se për Komunat janë 745 milionë euro buxhet i ndarë, është i dedikuar për komunat dhe kjo ndarje përcaktohet në bazë të formulës kryesisht për kokë banori por edhe për numër të nxënësve dhe për personat të moshës mbi 65-vjec, kur është puna për grantin e shëndetësisë. Pra, janë 745 milionë euro nga të cilat pra 640 milionë euro janë grant qeveritar dhe vetëm 100 milionë euro tjera janë të hyra vetanake të komunave.

Këto 640 milionë euro u ndahen komunave në bazë të numrit të banorëve. Për më teper, Komuna e Prishtinës ka marrë edhe 17 milionë euro shtesë si kryeqytet, ndërkaq është edhe Komuna e Oliqit që merr edhe 5 milionë euro tjera shtesë në kuadër të Ligjit që parasheh kompensimin për ndotjen e ambvientit që i bëhet për shkak të ndodhjes së KEK aty. Pra, ka edhe këso grande shtesë që ndahen me formulë dhe nuk ka se si qeveria të vendosë ndryshe, pra nuk është e vërtetë që ka dallim apo favorizim të komunave. Atë cfarë është prezantu në atë raport që pastaj po merret si shabllon dhe po tentohet të pasqyrohet nga opozita si dicka është diskriminuese, bëht fjalë për 13 milionë euro nga 860 milionë euro investime kapitale. Dmth investimet kapitale janë 860 milionë euro, kurse raporti cka pasqyron në tabelë është vetëm 1.5 përqind e buxhetit. 98.5 përqind e buxhetit nuk e trajton ai raport që ndahet në baza të barabarta dhe të drejta”, ka thënë Murati.