Raporti i Progresit për Kosovën ka theksuar se mosfunksionimi i bordit të Radiotelevizionit të Kosovës që nga dhjetori i vitit 2024 dhe mbetja vakante e pozitës së drejtorit të përgjithshëm që nga shtatori i 2024-tës po e bënë transmetuesin publik jo funksional dhe të paaftë të përmbush rolin e tij në mënyrë efektive.

“Pozicioni i Drejtorit të Përgjithshëm, vakant që nga shtatori 2024, mbetet i paplotësuar, ndërsa Bordi i RTK-së nuk ka pasur kuorum që nga dhjetori 2024, duke e penguar atë të mbajë mbledhje ose të marrë vendime. Që atëherë, transmetuesi publik mbetet jofunksional dhe i paaftë të përmbushë rolin e tij në mënyrë efektive”- thuhet në raport.

Bllokada politike në Kuvendin e Kosovës është parë nga Komisioni Europian si kërcënim për qëndrueshmërinë operative të RTK-së.

“Miratimi i qeverisë për një kredi për RTK-në ofron lehtësim të përkohshëm. Megjithatë, bllokimi politik që po paralizon Kuvendin dhe mungesa e reformave ligjore kërcënojnë pavarësinë financiare dhe qëndrueshmërinë operative të RTK-së. Pa veprime legjislative për të siguruar financim të qëndrueshëm, transmetuesi mbetet i cenueshëm ndaj presionit politik dhe pasigurisë financiare”- thuhet në raport.

Raporti thotë se nuk ka pasur progres të Radiotelevizionit të Kosovës për gjetjen e një modelit të financimit të qëndrueshëm, afatgjatë e të pavarur.

Në këtë raport të Komisionit Europian thuhet se RTK vazhdon të përballet me kufizime në buxhet, pronë e burime njerëzore.

Në Raportin e Progresit është përmendur letra e drejtorit të RTK 2 të drejtuar tek institucionet në janar të këtij viti në lidhje me mungesën e mjeteve financiare.

“Në janar 2025, bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet e Kosovës morën një letër nga Drejtori i RTK 2 duke ngritur shqetësime në lidhje me përkeqësimin e kanalit televiziv, kryesisht për shkak të mungesës së ndarjeve buxhetore dhe mungesës së kuorumit të Bordit të RTK-së, të dyja në pritje të formimit të Kuvendit. Këto shqetësime shtrihen edhe në pjesë të tjera të sistemit të RTK-së që aktualisht janë duke u ristrukturuar”- theksohet në raport.

Komisioni Europian në Raportin e Progresit ka thënë se ndërtesa ku aktualisht ndodhet RTK është në gjendje shumë të keqe e disa anëtarë të stafit ose kanë dalë në pension ose kanë marrë leje pa pagesë veçanërisht në departamentet që u shërbejnë komuniteteve jo-shumicë.

“Lidhur me kufizimet buxhetore, 75% e buxhetit të përgjithshëm të RTK-së ndahet për paga. Ndërtesa ku aktualisht ndodhet RTK është në gjendje shumë të keqe dhe nuk është në pronësi të transmetuesit publik. Disa anëtarë të stafit ose kanë dalë në pension ose kanë marrë leje të papaguar. Kjo është veçanërisht e dukshme në pozicionet teknike dhe departamentet që u shërbejnë komuniteteve jo-shumicë”- thotë raporti.