“Raporti i Martyt njollosë Kosovën”: Si shkëlqeu Edi Rama në mbrojtje të Kosovës e Hashim Thaçit në OKB?

Edi Rama shkëlqeu. Pak a shumë kështu mund të përkufizohet paraqitja e kryeministrit të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara në lidhje me Gjykatën Speciale të Kosovës. Në fjalimin e tij të gjatë, ai foli për ish-presidentin Hashim Thaçi, duke theksuar se ai u arrestua pa ndonjë padi, ndërsa përmbajtjen e Raportit të Dick Martyt, e cilësoi një “fantazi”.

Tutje, ai vlerësoi se raporti i Martyt është një “dështim monumental në nivel ndërkombëtar”, e “manifest” kundër pavarësisë së Kosovës.

Fjalimi i tij, shumë i gjatë, e ku Rama foli për shumë çështje, bëri bujë të madhe në Kosovë. Shumë politikanë kosovarë e falënderuan Ramën për mbrojtjen e Thaçit në OKB, e kontestimin e Dhomave të Specializuara.

Por, fjalimi çuditërisht nuk preku “veshët” e pushtetit, pasi që as kryeministri Albin Kurti, por as presidentja Vjosa Osmani, nuk shkruan e folën për deklarimet e Edi Ramës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Bombat” e Edi Ramës

Kryeministri i Shqipërisë, që një kohë, është duke u përpjekur të tregojë të vërtetën e tij për Raportin e Dick Martyt, senatorit zviceran, e mbi të cilin raport u bazua edhe themelimi i Speciales.

Rama, para liderëve të të gjithë botës, tha se nuk mund të mos e ndante me ta një “shembull të tmerrshëm”, e që duhet të jetë mësim për gjithë botën, e veçanërisht për botën demokratike.

Raportin e Martyt, lideri i Shqipërisë e quajti një manifest të propagandës mbarëbotërore kundër pavarësisë së Kosovës.

“Në vitin 2011, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi një raport, përpiluar nga një parlamentar i zellshëm, i cili mban emrin Dick Marty, e ku akuzohej ushtria e Kosovës për krimin e neveritshëm të trafikimit të organeve. Zoti Marty duhej të ishte paguar si tregimtar, por kurrë të besohej si raportues i Këshillit të Evropës. Raporti i tij ishte tronditës, e jo vetëm shumë, asokohe, i besuan, por u shndërrua në faktorin kyç të ushqimit të idesë dhe ngritjes së dhomave të specializuara të gjykatës për Kosovës. Po kështu, u bë një prej rasteve më të këqija të realitetit të shtrembëruar, lloji i manifestit për propagandën mbarëbotërore kundër pavarësisë së Kosovës.”, vlerësoi Rama, shkruan Nacionale.

Përkundër hetimeve 11-vjeçare, theksoi Rama, asnjë provë nuk u gjet për trafikimin e organeve. Ndonëse, sipas tij, munguan provat, ish-presidenti Thaçi u arrestua pa padi, për të cilën bëri një vit burgim deri në zyrtarizimin e padisë.

“E megjithatë, dhomat e specializuara për Kosovën, që u ngritën bazuar në këtë raport, ndërkohë që flasim, kanë arrestuar pa padi presidentin e Kosovës Hashim Thaçin. Ai priti një vit në burgim derisa u akuzua zyrtarisht. Përpiquni ta imagjinoni të gjithë për një moment, presidenti apo kryeministri juaj, udhëheqësi i vendit tuaj që merret nga zyra, çohet në një vend të tretë, mbahet i ndaluar për një vit të tërë pa asnjë akt-akuzë zyrtare nga një organizëm i krijuar dhe sponsorizuar nga një komunitet vendesh demokratike e pa gjejeni?”, shtoi Rama.

Përkundër se raporti i Këshillit të Evropës pretendonte se kishte trafikim të organeve, Rama theksoi se për këtë çështje nuk ka asnjë fjalë të vetme në aktakuzën ndaj Thaçit.

“Një fantazi e tërë”, theksoi shefi i Qeverisë shqiptare.

“Ky është një dështim monumental në nivel ndërkombëtar dhe nuk ka të bëjë me një person, nuk ka të bëjë me procedurat e gjykatës; ka të bëjë me njollosjen e papërshtatshme të një vendi dhe historisë së tij.”, shtoi Rama.

I pari i Qeverisë së Shqipërisë vlerësoi si të nevojshme pranimin e kërkesës së Shqipërisë për pasur një raport që korrigjon atë të Martyt.

“Megjithatë, duke qenë se demokracia e institucionit të saj, mes shumë virtyteve, kanë edhe atë të korrigjimit të fajeve dhe gabimeve të tyre, ne mendojmë që dhe shpresojmë që, saktësisht, Asambleja e Këshillit të Evropës do të nderojë të vërtetën dhe do pranojë kërkesën e Shqipërisë për të pasur një raport vijues, ndërkohë që dëmi është bërë dhe të ndihmojë të rivendosë besueshmërinë e një organizate kaq të rëndësishme ndërkombëtare”, deklaroi Rama në OKB.

“Ne kurrë nuk do të heqim dorë nga kjo e vërtetë dhe kurrë nuk do ndalim së nderuari ata që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e tyre dhe për të cilët askush, në emër të askujt, nuk mund të hedhë as edhe një grimë balte.”, përfundoi Rama pjesën e fjalimit kundër Speciales e në mbrojtje të Kosovës e Thaçit.

Mbrojtja që i bëri Rama Kosovës në OKB, ngjalli shumë reagime në shtetin kosovar, duke e vlerësuar Ramën si kryeministër të shqiptarëve.

Por, deri më tani, krerët e shtetit të Kosovës nuk kanë reaguar në lidhje me këtë fjalim.

Kryeministri i Kosovës, sot u prononcua për zgjedhjet në VV, por jo edhe për deklarimet e Ramës. Njëjtë veproi edhe zonja Osmani, e ministrja e Punëve të Jashtme e Diasporës, Donika Gërvalla.

Heshtjen e tyre, e ka kritikuar nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

“Kur urrejtja për një njeri është më e madhe se dashuria për Kosovën. Kaq për heshtjen shurdhuese të Presidentes, Kryeministrit, Ministres së Jashtme, karshi fjalimit të Kryeministrit Rama dje në OKB”, shkroi Çitaku.