Avokati i Popullit ka publikuar Raportin me rekomandime lidhur me Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Raporti në fjalë i referohet vizitës nga Mekanizmi Kombëtar për Parandalim të Torturës (MKPT) realizuar më 20 maj të këtij viti.

Sa u përket kushteve të akomodimit, MKPT-ja ka vërejtur se, në disa raste, hapësirat e banimit për të burgosurit nuk janë në pajtim me dispozitat e Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale (LESP) dhe as me standardet e përcaktuara nga Komiteti Evropian për Parandalim të Torturës. MKPT-ja ka pranuar ankesa nga të burgosurit për mungesë të mjeteve higjienike.

Po ashtu, ky organ thekson se ka vërejtur se dushet, në pjesën ku akomodohen të paraburgosurit, nuk ishin në gjendje të mirë higjienike dhe as teknike.

Sa i përket regjimit, MKPT-ja ka vërejtur se të dënuarit angazhohen në punë për pastrim, në kuzhinë dhe për mirëmbajtje të caktuara të objektit.

Të dënuarit kanë mundësi të dalin në shëtitje gjatë gjithë kohës, dyert i kanë të hapura prej orës 7:00 të mëngjesit deri në orën 7:00 të mbrëmjes. Përpos shëtitjes, ata kanë në dispozicion një tavolinë ping-pongu, lojën e shahut dhe letra domino.

Gjatë vizitës, është vërejtur se kontakti i të burgosurve me botën e jashtme mbetet në nivel të kënaqshëm.

Përmes këtij raporti me rekomandime, Avokati i Popullit i rekomandon Ministrisë së Drejtësisë që të burgosurit të furnizohen me mjete higjienike; të evitohen mangësitë teknike të funksionimit të dusheve; të shtohen aktivitetet jashtë qelisë për të paraburgosurit; QPP-ja të furnizohet me dyshekë të rinj dhe cilësorë; të ndërpritet praktika e dërgimit të mostrave të gjakut në laborator jashtë QPP-së; si dhe të krijohen kushte adekuate pune për personelin mjekësor dhe për atë korrektues.

loading…