Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj është nisur për në Hagë ku pritet që nesër të intervistohet nga Gjykata Speciale.
Haradinaj ishte paraparë që të udhëtonte për atje në orën 12:30 por fluturimi i tij ishte shtyrë.
Këtë e konfirmoi me anë të një kumtese për media edhe Qeveria.
“Ju njoftojmë se fluturimi me të cilin ka pasur të udhëtojë kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, për në Hagë, është shtyrë për disa orë, për shkak të vonesave të kompanisë së fluturimeve “Austrian Airlines”, thuhet në njoftim.
Haradinaj gjatë ditës i ishte drejtuar qytetarëve edhe me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
“Luftëtarët e lirisë gjithmonë ishin të rreshtuar me të drejtën!Sot, si Ramush Haradinaj, qytetar i Republikës së Kosovës, i përgjigjem ftesës për intervistim nga Dhomat e Posaçme në Hagë. Tërësisht në të drejtën e Kosovës, i palëkundur për vendimet e mia jetësore dhe i patrazuar e ballëlartë”.
“Kosova ka ecur përpara në rrugëtimin euro-atlantik dhe është më e fortë se kurrë, në rreshtin e paqes dhe miqësi të përhershme me ShBA-në. Kosova është e gatshme të dialogojë me Serbinë deri në arritjen e një marrëveshjeje finale ligjërisht obliguese, përfshi njohjen reciproke në kufijtë ekzistues. Por, tregun e japim vetëm për njohje. Me nder kam mbrojtur të drejtën tonë, dje, sot dhe do ta mbrojë gjithmonë!”, ka shkruar ai.
Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e shefit të Qeverisë të premten pas ftesës që i erdhi nga Gjykata Speciale.







