Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka thënë se të gjithë ata që deklarojnë se po dëmtohen marrëdhëniet me Amerikën e kanë gabim.

“Popujt që janë rreshtuar me Amerikën kanë krijuar botën e lirë dhe ne kemi arritur atë që kemi synuar – lirinë. Çdo shqiptar, kudo, si këtu, si në troje të tjera, si në diasporë, e përjeton Amerikën si familjen e vet”.

“Ata që po nguten t’i përkthejnë veprimet tona me prishje të marrëdhënieve nuk po e dinë që nuk është ashtu”.

“Kur rri përballë Rusisë, asnjë marrëdhënie me Amerikën nuk do ta prishësh. Ne do të rrimë përballë Rusisë”.

Shefi i Qeverisë ka insistuar se nuk do të hiqet taksa 100 % për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

“Taksa nuk është vendosur kundër Amerikës, por Rusisë. Rusia dhe Serbia ka punuar që të na tërheqë njohjet, me para”.

“Taksa do të mbesë deri në njohje. Pse duhet të ekzistojë taksa deri në njohje – sepse nuk është lehte të hash mallin e atij që na ka vra mirëpo kur na thuhet që të japim diçka për njohje, për çka po flitet më?”

“Tokë kemi dhënë boll nëpër shekuj – nuk do të japim më asnjë pëllëmbë toke”.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, këto komente i ka bërë në akademinë dedikuar 575 vjetorit të Lidhjes së Lezhës.