Ramush Haradinaj: Rusia dhe Serbia kanë cofë në Kosovë o Baton! VIDEO

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka mëshuar fort gazetarit Baton Haxhiu, në mbrëmjen e së enjtes.

Haradinaj, i cili ishte mbrëmë në Tiranë, e ka quajtur Haxhiun “mercenar” të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, me të cilin ai nuk i punët mirë.

“Nuk jemi lopë e dele”, e ka paralajmëruar Haradinaj, Haxhiun.

Shefi i ekzekutivit kosovar e ka porositur gazetarin që të “mos mbajë ligjërata”.

“A je i vetëdijeshëm që në Kosovë janë duke të dëgjuar tash së paku 100 njerëz që t’i ke lobu për korrigjimin, për ndarjen e Kosovës”, e ka pyetur Haradinaj, Haxhiu, shkruan Ballkani.info.

“Ndarja është mbyllur, s’ka më rrezik prej saj”, ka thënë Haradinaj më pas.

Ndërkaq, gazetari Haxhiu insistonte që çështjen me Serbinë, Kosova duhet ta mbyllë sa më shpejt.

“Çështjet me Serbinë duhet të mbyllën, sepse sot është Rusia e fortë, nesër është e fortë dhe mund ta destabilizojë Kosovën sa herë të dojë”, ka thënë Haxhiu.

Ndaj kësaj deklaratë ka reaguar ashpër Haradinaj: “Ka cofë Rusia o Baton, ka cofë për besë. Ka cofë Serbia e Rusia, veç në mendjen e disave janë. Sa i përket Kosovës, kanë cofë, beso”, i është përgjigjur Haradinaj, Haxhiut.

Më herët, Haradinaj ka folur për përplasjen e tij me Ramën.

Haradinaj ka thënë se Rama me fanatizëm dhe me pasion është angazhuar për ndarjen e Kosovës.

Shefi në largim i ekzekutivit kosovar ka folur edhe për padinë që Rama i ka bërë atij në Prishtinë.

Ai ka thënë se e konsideron padinë tallje dhe hajgare ndaj tij nga homologu shqiptar. /Ballkani.info/