Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, aktivitetet e tij të parë dje, me rastin e festës së 28 nëntorit, i ka nisur me një vizitë tek varri i Isa Boletinit, në fshatin Boletin të Mitrovicës.

“Nderim përjetë heronjve, nderim përjetë për Isa Boletinin”, është shprehur Haradinaj.

Tutje, Haradinaj ka vazhduar me vizitë në Mushtisht të Suharekës, ku mori pjesë në ceremoninë e përurimit të shtatoreve të Heronjve të Kombit, Hasan Prishtina dhe Adem Jashari.

Mirëpo, shembullin e Haradinajt për ta vizituar varrin e Isa Boletinit nuk e ka ndjekur asnjë nga zyrtarët shtetërorë e partiakë të Kosovës. Kreu i AAK-së ka qenë vizitori i vetëm më i lartë që ka qëndruar dje në Boletin.

Në raste të festave të tilla, politikanët vërshojnë t’i vizitojnë vendet emblematike ku prehen eshtrat e heronjve të kombit. E për 28 Nëntor varri i Isa Boletinit (domosdoshmërisht) duhet të vizitohet, pasi që shpallja e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 nuk mund të mendohet pa kontributin e tij. /Ballkani.info/