Në tri takime të njëpasnjëshme të mbajtura në Korroticë të Epërme, Zabel të Ulët dhe Arllat, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, bashkë me qytetarë dhe mbështetës të tij, diskutoi për fushatën zgjedhore dhe sfidat e ardhshme për fitore nën moton “Për Drenasin Kampion”.
Lladrovci theksoi se qytetarët e Drenasit, të cilët jetojnë dhe punojnë në zemrën e Kosovës, janë “qytetarë kampionë, dinjitozë e krenarë për kontributin e tyre të çmuar në çlirim dhe shtetndërtim”. Ai paralajmëroi se interesimi i kundërshtarëve politikë për pushtetin lokal po maskohet, ashtu siç ka ndodhur edhe në të kaluarën.
Sipas tij, zgjedhja e numrit 101 më 12 tetor do të jetë një mesazh i qartë për të gjithë ata që duan “t’ua mbyllin sytë qytetarëve para kutive të votimit”. Ai i ftoi qytetarët të vazhdojnë rrugëtimin e përbashkët për zhvillim dhe qeverisje të mirë:
“‘Për Drenasin Kampion’ është ftesë për fitore dhe vazhdim të qeverisjes së shkëlqyer, bashkë me qytetarët. 101, Vazhdojmë +4!” – u shpreh Lladrovci.
Ky tubim shënon një hap të rëndësishëm në mobilizimin e elektoratit të Drenasit për zgjedhjet lokale, duke konfirmuar vendosmërinë e tij për të kërkuar edhe një mandat të ri në krye të komunës.







