Urimet

Ramiz Lladrovci me Bekim Jasharin: Urime dhe gëzuar Ushtrinë, Kosova jonë e dashur!

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ditën e miratimit të ligjeve për Ushtrinë e Kosovës, e ka përcjellë së bashku me Kryetarin e Skënderajt, Bekim Jasharin së bashku me bashkëpunëtorët tjerë, duke ngrehur dolli.

Për këtë ditë, Lladrovci e shkruar “Kujtojmë sakrificën e të gjithë qëndrestarëve ndër shekuj, luftëtarëve dhe ushtarëve që ndër beteja, me vullnet të çeliktë, i dolën në mbrojtje qytetarëve tanë. Kujtojmë të gjithë sakrificën e brezave për ushtrinë që do të jetë në ballë të mbrojtjes së lirisë tonë, atdheut tonë.”

Ja shkrimi i Kryetarit Lladrovci në fb:

Urime dhe gëzuar Ushtrinë, Kosova jonë e dashur!
Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës, mori vendimin e interesit të jashtëzakonshëm madhor, për krijimin e Ushtrisë së Kosovës. Vendimi është sa i shumëpritur aq edhe historik, sepse, shteti ynë, për herë të parë, të pranuar edhe ndërkombtarisht do të ketë forcën e vet mbrojtëse, forcat e veta të armatosura.
Sot, me nderim të thellë kujtojmë të gjithë sakrificën e brezave të tërë për liri dhe për shtet. Kujtojmë Komandantin tonë legjendar, Adem Jasharin dhe sakrificën e familjes Jashari për liri, kontributin për ushtri, që përcjell frymën e këtij heroizmi edhe sot, në Ushtrinë e Kosovës.
Kujtojmë sakrificën e të gjithë qëndrestarëve ndër shekuj, luftëtarëve dhe ushtarëve që ndër beteja, me vullnet të çeliktë, i dolën në mbrojtje qytetarëve tanë. Kujtojmë të gjithë sakrificën e brezave për ushtrinë që do të jetë në ballë të mbrojtjes së lirisë tonë, atdheut tonë.
Në veçanti kujtojmë, ushtarët, udhëheqësit dhe gjeneralët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët, me përkushtimin mbinjerëzor bashkë me vendet aleate, arritëm ta çlirojmë atdheun tonë, që sot, të kemi Ushtrinë tonë.
Kjo ushtri jona, nuk paraqet asnjë rrezik për fqinjët, sepse, në historinë tonë, asnjë herë, nuk e kemi sulmuar askënd. Andaj, kjo ushtri, është ushtri me vlerat më të larta, cilësi mbrojtëse, për ruajtjen e paqes, në bashkëpunim me aleatin tonë të përjetshëm, ShBA-në, BE-në dhe të arriturat demokratike. Kjo ushtri, është ushtri e paqes!
Sot kujtojmë heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë tonë, për sakrificën mbinjerëzore!
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!

Urime dhe gëzuar Ushtrinë, Kosova jonë e dashur!