Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë thirrje për mobilizim të plotë të strukturave dhe qytetarëve të kësaj komune në funksion të fitores së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke theksuar se Drenasi mbetet bastion i pathyeshëm i kësaj partie.
Në një reagim publik, Lladrovci ka deklaruar se Bedri Hamza dhe numri 130 janë adresa politike e bastionit, ndërsa ka kërkuar nga qytetarët dhe Shtabi i fitores së 12 Tetorit që të angazhohen maksimalisht për një fitore bindëse të PDK-së.
Ai ka shprehur shqetësim për pjesëmarrjen e zbehtë në disa takime zgjedhore gjatë fundjavës, duke theksuar se gatishmëria e tij për angazhim të plotë në fushatë nuk ka hasur gjithmonë në mirëkuptim, për çka ka thënë se nuk ndjen përgjegjësi personale.
Lladrovci ka konfirmuar se ia ka ofruar përkrahjen Bedri Hamzës pa asnjë kusht, duke kërkuar që fushata në Drenas të intensifikohet, ashtu siç i ka hije një bastioni tradicional të PDK-së. Sipas tij, prezantimi i Drenasit si komuna e shtatë e fituar nga PDK-ja ka ngjallur pakënaqësi tek kundërshtarët politikë.
Po ashtu, ai ka shprehur shqetësim për lajmet e pakonfirmuara lidhur me anulimin e tubimit përmbyllës të PDK-së në Drenas, duke kërkuar adresim të përgjegjësisë për këtë situatë, të cilën e ka cilësuar si dështim organizativ.
Kryetari i Drenasit ka theksuar se, sipas tij, arroganca politike pas zgjedhjeve lokale tashmë po kthehet në hakmarrje, por ka ritheksuar se askush nuk mund ta largojë Drenasin nga PDK-ja.
Në përfundim, Lladrovci u ka bërë thirrje qytetarëve që më 28 dhjetor të mos lënë asnjë votë në shtëpi, duke theksuar se fitorja e PDK-së është e panegociueshme dhe se ajo i duhet Kosovës, Drenasit dhe figurave kryesore të partisë, me Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër.
Sipas tij, Drenasi do ta përsërisë edhe njëherë “mrekullinë elektorale”, duke qëndruar fuqishëm pranë PDK-së dhe vlerave të luftës e paqes.







