Deputeti i LDK-së njëherësh biznesmeni, Ramiz Kelmendi, ka deklaruar se moslëshimi i vizës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj si dhe mosshkuarja e tij në Amerikë për të marrë pjesë në “Lutjet e Mëngjesit” janë masa këshilluese nga Amerika lidhur me çështjen e taksës.

“Ne duhet të dimë se ku e kemi kufirin, pasi në njëfarë forme ne e morëm pak vesh pasi kryeministrit nuk iu lëshua viza, nuk arriti të shkojë në Lutjet e Mëngjesit, një pjesë e deputetëve dhe politikanëve iu tregua që nuk munden me shkuar me marrë viza për arsye që kemi vendos një masë pra këto janë masa të buta këshilluese nga Amerika”, tha ai.

Kelmendi gjatë kësaj interviste ka folur edhe për pritshmërinë për Qeverinë Haradinaj.

“Ne të gjithë presim që ai që ka dhënë më shumë dhe jetë që ka dhënë, do të duhej së paku të jenë më të kujdesshëm për Kosovën se ka flijuar dhe familjen. Ne mendojmë që të gjithë ata që kanë luftuar të jenë shembull i së ardhmes pasi e kemi një gjeneratë të re që janë duke parë se çfarë është duke ndodhur me ata që kanë bërë luftën e vërtetë. Pra gjendja në Kosovë nuk është në nivelin e duhur”.

“Sot as Kryeministri as Presidenti, Kryetari i Kuvendit, nuk munden të shkojnë në shtetet e botës përveç në Amerikë, Bruksel, Gjermani dhe disa shtete që garantojnë që kërkesat e Interpolit të zbatohen. Tërheqja e 12 njohjeve është humbje politike të gjitha këto ombrellën e kanë tek kryeministri. Ndërsa për këtë nuk mund as ta kritikojmë as ta sugjerojmë ministrit të Punëve të Jashtme për këto rezultate pasi si të tërhiqet ai bie Qeveria”.

“Çdo kush që nuk shton miqësi të re, miqësia e vjetër zbehet, ne duhet të punojmë për ta shtuar miqësinë që kemi me Amerikën, pasi kjo miqësi nuk është e përjetshme, pasi ata që më së shumti na kanë mbështet ose janë larguar ose kanë vdekur”., shtoi ai/klankosova.tv.