Ballkani ka shënuar fitore në kryendeshjen e kësaj jave në elitën e futbollit kosovar, duke e mposhtur Gjilanin.
Kampionët në fuqi të Kosovës fituan 2:0 ndaj Gjilanit në stadiumin e qytetit në Suharekë.
“Pjesën e parë Ballkani kishin iniciativën por ne patëm dy raste të mira. Përgatitëm mirë ekipin ndaj një super skuadre si Ballkani. Në momentin më të keq pranuam golin e parë. Nuk mund të përshkruajë atmosferën e ekipit gjatë pushimit. Rrezikuam më tepër, nuk arritëm të shënojmë. Është meritë e Ballkanit. Gjithsesi në bazë të angazhimit dhe situatës jam i kënaqur me ekipin. Është humbja e tretë radhazi. Kjo është situata momentale. Gjatë pushimit patëm një atmosferë të rëndë”, tha Zekirija Ramadani për ArtSport, raporton Demokracia.com.
“Në fillim nuk ishim të kënaqur. Por me atë që po përballemi ne, jemi duke e dhënë maksimumin nga ekipi dhe mundohemi të nxjerrim më të mirë nga futbollistët. Nuk duhet të jemi të kënaqur por është një periudhë e vështirë”, shtoi ai.
Autogoli i Arbër Prekazit në minutën e parë shtesë të pjesës së parë vulosi epilogun e 45 minutave të para të kësaj sfide.
Meriton Korenica realizoi golin e dytë dhe të rezultatit përfundimtar në minutën e 88-të.
Ballkani ngritet në kuotën e 18 pikëve në vendin e dytë, kurse Gjilani ka 14 pikë në pozitën e tretë.







