Ramadani: Nuk duhet të ketë panik për koronavirusin, institucionet janë të përgatitura

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani duke folur për masat që i ndërmori qeveria e Kosovës sot, tha se Kosova është fituese e madhe historike në marrjen e masave parandaluese.

“Masat parandaluese që u votuan në Qeverinë e Kosovës janë një fitore e madhe për të gjithë qytetarët e Kosovës në luftën kundër koronavirusit”, tha Ramadani.

Ai tha se koronavirusi i ka tejkaluar suazat e dimensionit të dy koronaviruseve të mëhershme dhe OBSH me të drejtë e ka shpallur sot pandemi.

“Organizata Botërore e Shëndetësisë me të drejtë e ka shpallur koronavirusin pandemi, dhe është një koincidencë e madhe që Kosova në të njëjtën ditë ndërmori masat e duhura pa u paraqitur ende asnjë rast”, ka thënë ai.

Sipas Ramadanit, 82 persona janë testuar për koronavirus në Kosovë, 7 vetëm sot dhe QKUK ka pajisjet më të sofistikuara të cilat me shumë saktësi e testojnë koronaviorusin.

Ai tha se, “nuk duhet të ketë panik sepse institucionet shëndetësore janë të përgatitura”.